Viti i ri shkollor, me 100 mijë nxënës më pak

AKTUALITET


Dita e hënë (sot) shënon nisjen e vitit të ri shkollor, 2019-2020. Ministria e Arsimit bën të ditur se janë 24 mijë nxënës që sot ulen për herë të parë në bankat e shkollës, duke nisur klasën e parë .  Në sistemin 9-vjeçar janë gjithsej 272 mijë nxënës që fillojnë vitin e ri shkollor. Ndërsa në arsimin parauniversitar (pra sistemi 9-vjeçar dhe gjimnazi)  do të shkollohen 380 mijë nxënës, nga 480 mijë që ishin vitin 2018-2019.

Janë jo pak, por 100 mijë nxënës më pak se vitin e kaluar. Rënia e lindshmërisë ndër vite dhe emigrimi shikohen si dy arsyet kryesore të rrudhjes së numrit të nxënësve që frekuentojnë shkollën.

Ndryshe nga vitet e kaluara, edhe këtë vit shkollor prindërve do t’u duhet të shpenzojnë më pak për librat e fëmijëve nga klasa e parë në të katërtën, pasi ato janë dhënë për përdorim nga qeveria, dhe do t’i rikthejnë në fund të shkollës.

Gjatë mëngjesit të së hënës në rrugët e Tiranës është vënë re prania e efektivëve të policisë të cilët janë kujdesur për të shmangur bllokimin e rrugëve nga trafiku i rënduar.

Policia rrugore e Tiranës ka hartuar një plan veprimi me detyra specifike, në lidhje me menaxhimin e trafikut dhe rritjen e sigurisë rrugore pranë shkollave e institucioneve të tjera arsimore. Plani përfshin edhe kontrollin rigoroz të mënyrës së transportit të fëmijëve në moshë jo madhore kryesisht për ata deri në 12 vjeç, për të cilët Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë parashikon përdorimin e sistemeve të fiksimit me qëllim sigurimin e tyre dhe parandalimin e pasojave që mund të vijnë si rezultat i ngjarjeve rrugore.

Ky vit shkollor për arsimin bazë, përfundon më 12 qershor, ndërsa matura një javë më herët. Ndërsa pushimet e shumëpritura të dimrit do të zgjasin dy javë, nga 21 dhjetori deri më 5 janar 2020.



Skip to toolbar