Basha fjalët, Rudina veprat

POLITIKË


Grupi Parlamentar Demokrat i drejtuar nga Rudina Hajdari ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë për dy koncesionet e rrugëve Orikum- Dukat dhe Milot –Balldren, ashtu siç paralajmëroi në seancën e fundit parlamentare, ndryshe nga sa ka vepruar opozita jashtëparlamentare me në krye Bashën, e cila ka dalë disa herë në podiumin e PD për të denoncuar, por që nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të kallëzuar penalisht shkeljet e pretenduara prej tyre. Me këtë veprim, Rudina Hajdari, si kryesuese e grupit parlamentar, duket se ka formalizuar dhe më shumë opozitën, ndryshe nga opozita jashtëparlamentare e Bashës, e cila tashmë ka mbetur pa asnjë përfaqësim.

Sipas kallëzimit të dorëzuar nga grupi i Hajdarit, kërkohet nga organi i akuzës “fillimi i procedimit penal në funksion të veprave penale të parashikuara nga neni 258 i Kodit Penal “Shkelje e barazisë në tenderë” dhe nenit 248 i  Kodit Rrugor Shqiptar, Autoriteti kontraktor deri tek vendimmarrje e Këshillit të Ministrave lidhur me shkeljet penale të konstatuara që kanë të bëjnë me PPP për segmentin rrugor “Porti i Jahteve- By Pas- Orikum- Dukat dhe PPP për segmentin rrugor Milot-Balldren”. Deputeti Halit Valteri bëri dorëzimin e kallëzimit dhe theksoi se përmes tij synohet të veprojë drejtësia dhe të ndëshkohen grabitësit.

Dyshimet për këto dy rrugë fillimisht u denoncuan nga PD, por opozita jashtëparlamentare u mjaftua me denoncimet publike, pa e çuar më tej këtë kauzë, konkretisht me kallëzim në prokurori, veprim që e ka bërë institucionalisht opozita parlamentare. Rudina Hajdari deklaroi në seancën e fundit se normalisht prokuroria duhet të kishte nisur hetimin kryesisht, por për të mos ia lënë në dorë vullnetit të prokurorisë dhe që akuzat mos të mbeten vetëm fjalë, ajo ka vendosur të bëjë kallëzim penal pranë Prokurorisë së Përgjithshme në lidhje me këto dy ligje, që sipas saj bien në kundërshtim me Kodin Penal.



Skip to toolbar