Një këmbësore dhe drejtuesi i një motori kanë përfunduar në spital për shkak të një aksidenti të ndodhur në Berat, ku motoçiklisti ka përplasur te vijat e bardha gruan që po kalonte rrugën. Aksidenti rrugor ndodhi pranë stadiumit në Berat.
Sipas policisë, një motor mori para një këmbësore që po kalonte rrugën nga njëra anë në anën tjetër përmes vijave të bardha. Por kjo nuk e ka penguar motorin që të mos ndalojë dhe ta përplasë gruan, e cila mori plagë të rënda dhe u dërgua në spital. Gjithashtu në spital përfundoi edhe drejtuesi i motorit që më pas u përplas me bordurën e rrugës.
Respektimi i vijave të bardha si nga drejtuesit e mjeteve, ashtu edhe nga këmbësorët ka qenë një shqetësim prej vitesh në Shqipëri. Pak ditë më herët, policia rrugore në kryeqytet njoftoi se ka ndërmarrë një aksion të gjerë për penalizimin e drejtuesve të mjeteve, të cilët nuk respektojnë këmbësorët në vijat e bardha. Sipas rregullores, mjetet duhet të ndalojë kur ka këmbësorë që tentojnë të kalojnë nga njëra anë e rrugës në tjetrën, por që shpesh herë ky rregull i thjeshtë nuk respektohet nga drejtuesit e mjeteve.