Deputeti i opozitës së re, Halit Valteri është shprehur i ashpër kundër një marrëveshje mes Ramës e Bashës. Madje ai ka folur në emër të “opozitës së re” në Kuvend ndërsa ka thënë të mërkurën në mbrëmje në Report TV se 35 deputetë do të lënë parlamentin nëse Rama-Basha bëjnë marrëveshje për reformën zgjedhore.
“Ka krizë për ego për pushtet. Ndjekje penale për gjyqtarët e prokurorët që nuk e kanë kaluar vettingun. Kemi parë çudira. 24 mijë dosje në Gjykatën e Lartë. Ata të dy kanë interesa aty. Kemi vilajete të Bashajve, Ramajve dhe Metajve. Kemi marrë garanci se Reforma Zgjedhore do të zbatohet duan apo nuk duan të tjerët. Ta them prapë se edhe unë largohem si Ralf Gjoni, nëse nuk bëhet. Nuk i lë njeri ata, nesër do të ikin të 35 deputetë nëse ata do bëjnë marrëveshje Rama me Bashën. Ata duan të mbajnë këtë sistem zgjedhor. Do marrin ekspert të huaj. Po të kem 84 vota nuk pyes as për Ramën as për Bashën, po e bëjmë ne”, është shprehur Valteri në emision.
Edhe deputeti tjetër i opozitës së re Ralf Gjoni dy ditë më herët bëri të njejtën deklaratë, ndërsa tha se do të largohet nga parlamenti nëse Reforma Zgjedhore këtë herë nuk arrinte të ndryshonte sistemin zgjedhor.
Deputetët e opozitës parlamentare kërkojnë me ngulm ndryshimin e sistemit zgjedhor aktual që i jep më shumë përparësi dy partive të mëdha si dhe i jep autonomi të plotë kryetarëve të partive për të përcaktuar listën e deputetëve. Deri tani as Rama dhe as Basha nuk e ka cekur këtë temë, pra nëse do të pranojnë ose jo ndryshimin e sistemit zgjedhor. Pak ditë më herët Dashamir Shehi tha në media se aleatët kishin marrë garanci nga Basha se do të pranojë ndryshimin e sistemit zgjedhor. E gjithë kjo mbetet për t’u parë. E rëndësishme është që palët të ulen në tryezën e dialogut.