Dy ish-deputetët e PD-së, Jorida Tabaku dhe Oerd Bylykbashi zhvilluan mëngjesin e së enjtes një takim me përfaqësues të Komisionit të Venecias, të cilët ndodhen në Tiranë për të hartuar një opinion për ligjin e Pasurive të Paluajtshme.
Problemi i pronave është një problem i vjetër në Shqipëri, i cili në vend që të zgjidhej në vitet ’90 me rënien e regjimit komunist, u bë edhe më kompleks përmes ligjit famëkeq 7501 për pronën, të cilin e firmosi Berisha. Por sërish deputetët e PD-së, akuzojnë Ramën për të gjithë këtë problematikë.
Pas takimit me ekspertët e Venecias, Tabaku tha se politikat e qeverisë Rama e kanë përkeqësuar gjendjen e pronës në Shqipëri.
“Sapo përfunduam një takim me Komisionin e Venecias, të cilët kanë ardhur për të bërë një analizë për pronat në Shqipëri. Ne patëm mundësi të shpjegojnë se çfarë ka ndodhur me pronat që nga viti 2013. Diskutuam gjerësisht dekretin e presidentit për kadastrën. Shpalosëm çdo gjë që ka ndodhur me pronën private dhe atë publike. Çështja e pronave është vënë në fokus si një ndër kriteret që duhen respektuar për çeljen e negociatave. Të drejtën e pronës nuk e merr askush, as Edi Rama”-tha Tabaku.
Nga ana tjetër, ish-deputeti Bylykbashi kritikoi veprimet e kryeministrit Rama, ndërsa shtoi se ky i fundit ka bllokuar procesin e kthimit të pronave tek ish-pronarët.
“Shpjeguam themelin e mekanizmin djallëzor që ka futur Rama në raport me të drejtën e pronarëve për të marrë të drejtën e tyre. Rama ka vënë një mekanizëm me të cilën ka rishpronësuar sërish pronarët. Ky proces bllokoi kthimin e pronave. Ka një qëllim të vetëm, që të marrë këto prona e tua japë oligarkëve për të zhvilluar interesin e tyre, sikur të ishte interes publik. Interesi publik Bëmë të qartë që fikja dhe eliminimi i Gjykatëse Kushtetuese dhe bllokimi i sistemit të drejtësisë për të vënë në vend të drejtat e pronarëve që është i qëllimshëm, që pronarët të mos kenë mundësi të ankohen në Gjykatë Kushtetuese. Këto ligje që shkojnë në dëm të pronarëve, PD do t’i zhbëjë”-tha ai.
Delegacioni i Komisionit të Venecias zhvilloi të mërkurën një takim edhe me kryeministrin Rama, ku natyrisht temë kryesore ishte çështja e pronave dhe problemet që burojnë prej saj.
Më herët ekspertët e Venecias kanë dhënë një opinion për ligjin “Për Trajtimin e Pronës” duke e vlerësuar atë në përputhje të plotë me standardet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Opinioni i Venecias u dha pas ankimit të këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese nga Shoqata e Pronarëve.
Në vitin 2016 Gjykata Kushtetuese i kërkoi mendim Komisionit të Venecias i cili argumentoi se ligji për trajtimin e pronave është në përputhje me standardet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.