Banorët e një pallati në Vorë, kanë apeluar për ndihmë, pasi apartamentet e tyre janë dëmtuar nga tërmeti. Në një lidhje direkte për emisionin “Real Story”, banorët, u shprehën se pallati është ndërtuar në vitin 1972, ndërsa sipas tyre ai ka gjatë gjithë kohës lëvizje. “Ky pallat ka marrë goditje të njëpasnjëshme. Është jashtë standardeve për të banuar. për 2 ditë nuk kanë ardhur njerëz por sot kanë ardhur nga bashkia dhe na kanë kontaktuar. Na thanë që do sjellim inxhinierët. Ne kërkojmë ndihmë, nuk kërkojmë kush e ka fajin. Ky pallat është i pabanueshëm. Ka shumë familjarë që janë të tmerruar. Dhe në këto moment ky pallat lëviz”, tha një prej banorëve.
Më tej, banorët janë shprehur se kërkojnë ndihmën e inxhinierëve për të bërë qëndrueshmërinë e strukturës së pallatit. “Ne jemi 36 familje, të tre shkallët. Goditja e parë e së shtunës ka qenë më e forta. Njerëzit janë tmerruar. Ky pallat është bërë që në vitin 1972. Muri ka marrë plasaritje në çdo 20 centimetër. Është vetëm me kubaturë pa kolona jashtë. Ky pallat po ta gërmojmë e shohin se çfarë rezistence ka. Unë nuk rri dot me familjen këtu. Unë jam 7 veta, që të fus familjen në këtë situatë, unë ngre duart. Të vënë dorë këtu. Le të vijnë inxhinierët e nëse më japin garanci hyj nga ky moment brenda”, tha banori.