Eurodeputeti grek Manolis Kefalogiannis është zgjedhur në krye të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë duke zëvendësuar rumunen Monica Macovei.
Do të jetë pikërisht eurodeputeti grek që do të “kujdeset” për negociatat mes Shqipërisë dhe BE. Në reagimin e parë për mediat eurodeputeti ka vënë theksin te detyrat që Shqipëria duhet të përmbushë kryesisht për të drejtat e pakicës greke, duke ndjekur të njëjtën linjë si Athina zyrtare.
“Është nder i madh për mua që të zgjidhem unanimisht si kryetar i Komitetit të Stabilizim Asociimit Parlamentar BE-Shqipëri. Një komision shumë i rëndësishëm që shqyrton rrugën e pranimit të Shqipërisë, një vend i Ballkanit Perëndimor që duhet të respektojë vlerat evropiane, sundimin e ligjit, marrëdhëniet e mira fqinjësore, ligjin ndërkombëtar, të drejtat e pakicave dhe natyrisht të drejtat e pakicës etnike greke”, ka thënë eurodeputeti.
Manolis Kefalogiannis më herët ka qenë anëtar i delegacionit të Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Turqi.
Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asocimit është forumi i anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Parlamentit Europian, në të cilin diskutohen të gjitha aspektet e marrëdhënieve politike dhe ekonomike BE–Shqipëri.