Kulluri: Paçi fatin tuaj kryetarë, me sulme s’ju mbështet njeri

AKTUALITET


Përfaqësuesi më i ashpër i lëvizjes “Basha IK”, Edvin Kulluri përmes një reagimi ka dënuar sulmin e militantit të PD-së, ndaj Rudina Hajdarit një ditë më herët, ndërsa shkruan se këto sulme ndaj njerëzve që mendojnë ndryshe nga kryetari i partisë, nuk janë gjë tjetër, veçse shprehje e frymës anti-liri dhe anti tolerancë në lidershipet partike, si djathtas ashtu dhe majtas. Ai thotë se pikërisht kjo shprehje e mungesës së lirisë, nuk ka asnjë lidhje me të qënurit “perëndimor”. Pikërisht se ata, perëndimorët besojnë te liria në plot kuptimin e fjalës, në lirinë e pronës, fesë, liritë ekonomike por mbi të gjithë në lirinë e të shprehurit dhe qëndrimit partiak. Por Kulluri vëren se këto liri në Shqipëri janë të cunguara dhe kjo u tregua dje ku u sulmua Rudina Hajdari por edhe në disa raste të tjera të ngjashme.

“Sulmet verbale por pothuajse fizike të disa militantëve të partive kryesore ndaj Ben Blushit në Elbasan, Kastriot Islamit poshtë shtëpisë së tij, ndaj Rudina Hajdarit dje në Shkodër, Ralf Gjonit duke e sulmuar me bojë, apo Jozefina Topallit përmes deklaratave të PD dhe RD, duke mos lënë pa përmendur dhe sharjet e fyerjet sidomos në rrjetet sociale ndaj kritikëve të tjerë të kryetarëve të partive të mëdha, janë shfaqje e shëmtuar e frymës anti-liri dhe anti-tolerancë e lidershipit partiak shqiptar!

Njerëzit në demokracitë perëndimore nuk sulmohen pse mendojnë, flasin e veprojnë ndryshe nga kryetarët dhe ca histerikë shërbëtorë të kryetareve të partive. Çdo njeri edhe kur gabon e bën me vullnetin e tij të lire dhe askush s’ka të drejte ta sulmojë apo kërcënojë verbalisht apo më keq akoma fizikisht për këtë arsye. Kjo nuk është as perëndimore, as demokratike dhe as perspektivë integruese europiane për të cilën bërtasin në mashtrim kryetarët tanë!”, shkruan Kulluri.

Ai thekson se ky është një mentalitet politik si i Partisë Demokratike ashtu edhe i Partisë Socialiste.

“Hakërrimet e Ramës ndaj opozitës se “nuk keni parë akoma” dhe aksioni “nuk ka zgjedhje me Edi Ramën” janë shprehje po kaq e vërtetë e aksiomës anti-demokrative të kryetarëve tanë! Këta njerëz kanë ngatërruar sistem duke u sjellë si autoritaristë në një regjim demokratik! Ndaj nuk i beson më kush, e as mbështet dhe voton asnjë njeri normal në Shqipëri! Paçi fatin tuaj o kryetare!”, shkruan Kulluri.

Deputetja e PD-së, Rudina Hajdari u sulmua të enjten gjatë një aktiviteti në shkollën Shejnaza Juka në Shkodër. Një militant i PD-së, i proceduar penalisht për zjarrvënie të qëllimshme pikërisht në atë shkollë gjatë zgjedhjeve të 30 qershorit, iu hakërrye Rudinës duke e akuzuar si shtojcë të Edi Ramës, duke e cilësuar atë si turp për vendin pasi bashkëpunon me kryeministrin. Militanti i PD-së, i tha Hajdarit se kishte tradhtuar babain e saj, Azem Hajdarin pasi ai kishte luftuar për demokracinë ndërsa ajo bashkëpunon me Ramën. Por fatmirësisht sjellja europiane e Rudina Hajdarit bëri që incidenti të kalonte lehtësisht. Hajdari tha se pikërisht lufta e ashpër politike në Shqipëria i ka ndarë njerëzit në të PD-së dhe PS-së në vend që t’i bashkojë drejt BE-së./realstory.al



Skip to toolbar