Policia shqiptare dhe ajo greke falë një operacioni të detajuar kanë vënë në pranga 3 shtetas të cilët akuzohen për trafik droge nga Ekuadori. Nga aksioni anti drogë është arrestuar Ardian Bega oficer i sigurisë në Portin e Durrësit, shtetasi Altin Myslihaka si dhe është shpallur në kërkim një person i tretë me inicialet G.M. Skema e trafikut të drogës Ekuador-Pire- Shqipëri ka disa kohë që po hetohej dhe po ndiqej nga policia, ndërkohë që të tjera detaje kanë ndalë në dritë në lidhje me operacionin në fjalë që bëri të mundur zbulimin e kokainës në kontenierët që vinin nga Ekuadori.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi për News 24 se ngarkesa e kokainës, e cila ishte nisur nga Ekuadori me 2 kontejner, me një sasi prej 45 kg, pasi u pikas nga policia greke, u zëvendësua me oriz në përpjekje për të futur në kurth porositësit, duke lënë vetëm 1 kg. Pasi e ambalazhuan drogën në mes të orizit, policia brenda tyre vendosi edhe GPS (aparat lokalizues). Po ashtu gazetarja tha se dy kontejnerët kishin mbërritur në portin e Pireut në datën 26 gusht, ndërsa në 19 shtator ata mbërritën në portin e Durrësit. Në kontejnerin e parë ishin 25 kg dhe 231 gr kokainë dhe në të dytin 20 kg dhe 500 gr kokainë.
Pasi u vunë në dijeni nga autoritetet greke, policia shqiptare ndërmori masat, ndërsa prokuroria çeli procedim penal. Mësohet se në portin e Durrësit kanë qenë 4 oficerë policie që mbikëqyrnin kontejnerët, ndërsa operacioni vëzhgohej dhe nga një pallat përballë portit. Pasi ngarkesa në fjalë u mor nga oficeri i sigurisë së Portit, i cili u takua me shtetasin me inicialet G.M. Ky i fundit bashkë me Begën arritën të merrnin ngarkesën, të cilën e hodhën jashtë një makine me targa franceze, pasi pikasën se mbështjellja e drogës ishte e dyshimtë.
“Pas dyshimeve nga autoritetet greke, gjatë kontrollit në pjesën ku janë të montuar frigorifer, u gjetën dy ngarkesa me kokainë. Të dyja këto sasi droge janë bllokuar nga autoritetet greke, dhe më pas kanë bërë disa arrestime në vendin e tyre. Pasi u sinjalizua policia shqiptare, prokuroria ngriti procedimin penale dhe më pas u krijua një skuadër. Autoritetet greke kanë lejuar që në dy kontejnerët të vijë vetëm një sasi droge, duke e zëvendësuar pjesën tjetër me oriz. Pasi u mblodh me natriban, brenda vendosën GPS. Më pas kontejnerët kanë lëvizur në drejtim të Durrësit. Kanë qenë 4 oficerë vëzhgimi që kanë qëndruar pranë kontejnerëve. Dhe gjithçka vëzhgohej nga sipër një pallati 10 katësh. Pasi janë fotografuar të gjithë personat që hynin dhe dilnin dhe që kishin interes për këto kontejner, është bërë edhe ndërhyrja nga policia. Është arrestuar shtetasi Ardian Bega, i cili do të përballet me masën e sigurisë. Ai rezulton të jetë dhëndri i Dash Taollajt, që është i afërt Indrit Taollajt, ish-anëtar i bandës së Durrësit, ndërsa mban detyrën e oficerit të sigurisë në port. Ai deklaron se shtetasi me inicialet G.M, i ka kërkuar ndihmë për të tërhequr diçka që ndodhej tek të dy kontejnerët”, tha Klodiana Lala.