Janë zbardhur detaje të reja nga operacioni i policisë që solli sekuestrimin e 137 kg kokainë në kontenierët e bananeve që vinin nga Ekuadori në Durrës, për të cilët policia ka arrestuar dy persona dhe ka shpallur në kërkim një të tretë. Personi i shpallur në kërkim është biznesmenti Gentian Malindi, 45 vjeç i cili është edhe “koka” e trafikut, personi që do të priste drogën në Durrës, por që zbuloi kurthin e policisë dhe ia arriti të arratisej.
Gjatë dëshmisë para hetuesve dy personat e arrestuar Ardian Bega dhe Altin Mislihaka, kanë bërë të ditur se ata kanë hyrë në kontenierë dhe kanë marrë disa pako me kokainë, më tej i kanë transportuar në një automjet me targa franceze ku ka qenë edhe Gentian Malindi. Por ky i fundit kur ka parë se paketimi ishte ndryshe nga çfarë ishte kërkuar, ka kuptuar se po ndiqeshin nga policia, dhe ka mundur të arratiset.
Gentian Malindi ka qenë edhe më herët i arrestuar dhe proceduar për drogë. Ai është arrestuar më herët për një sasi prej 500 kilogramë hashash, që ishin transportuar nga Lazarati në drejtim të Durrësit.
Malindi ka në pronësi të tij një anije peshkimi në qytetin e Durrësit, ndërsa dhe më herët ka qenë pjesë e mediave, me një denoncim të tij në drejtim të policisë. Biznesmeni durrsak pretendonte se kontrollet e shpeshta të bëra nga ana e policisë po dëmtonin rëndë biznesin e tij.