Tre shqiptare, duan Parlamentin austriak

AKTUALITET


Austria do të votojë të dielën e 29 shtatorit për zgjedhjet parlamentare, por e veçanta e këtyre zgjedhjeve është se janë 3 gra shqiptare që kandidojnë për t’u bërë deputete.

Në këto zgjedhje të parakohshme, të drejtë vote kanë edhe shqiptarët me nënshtetësi austriake, të cilët përbëjnë më shumë se gjysmën e gjithë shqiptarëve që jetojnë në Austri.

Për njërën nga 183 vendet në Parlamentin e Austrisë synojnë edhe tri kandidate shqiptare nga Kosova por me nënshtetësi austriake. Drita Cacaj dhe Ina Rexhepi nga ÖVP (Partia Popullore e Austrisë) si edhe Serafina Demaku nga partia SPÖ (Partia Socialdemokrate e Austrisë).

Kandidatet shqiptare kanë ftuar bashkëkombësit e tyre që të shfrytëzojnë të drejtën dhe të votojnë kandidatët shqiptarë, që për herë të parë të bëhen pjesë e Parlamentit austriak.

Zgjedhjet parlamentare në Austri janë zgjedhje të parakohshme. Ato u bënë të domosdoshme pas publikimit të skandalit “Ibiza” të liderit djathtist, Heinz Christian Strache, i cili në video incizime dëgjohej teksa u premtonte oligarkëve rusë favore nga paratë e taksapaguesve austriakë, nëse ata e ndihmojnë gjatë zgjedhjeve të vitit 2017.



Skip to toolbar