Pas publikimit të raportit paraprak të Venecias ku konstatohet fakti se presidenti ka shkelur kushtetutën përmes vendimit të tij për anulimin e zgjedhjeve më 30 qershor, ka ardhur të shtunën reagimi i parë i presidentit.
Ai ka marrë pjesë në një aktivitet të zhvilluar nga Kryegjyshata e Bektashinjve në Sari Salltik të Krujës. I pyetur nga Ora News për raportin e Venecias, Meta është shprehur: “Kam zero koment. E kam shteruar me kohë edhe si President dhe institucion mbrojtjen e shkëlqyer parimore që i kemi bërë Kushtetutës dhe pluralizmit politik sipas Konventës Europiane të Drejtave të Njeriut”. I pyetur nëse i trembet Venecias kreu i shtetit, Meta tha: Si mund t’i trembet Venecias Luani i Artë i Venecias për këtë vit?!.
Përmes kësaj deklarate Presidenti tregoi se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen ashtu sikurse deklaroi vetëm pak kohë me herët në emisionin e Çim Pekës. Ai do të vazhdojë të shtrëngojë fort karrigen e presidentit pavarësisht se tashmë shkeljen e Kushtetutës e ka faktuar jo vetëm parlamenti i Shqipërisë por edhe Komisioni i Venecias të cilit ai i besonte fort.
Meta ka kujtuar çmimin që mori në Venecia më 13 korrik të 2019 “Luani i Artë”, të njëjtin çmim që ka marrë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.