Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit dha të mërkurën, afër mesditës, vendimet për dhunën në derbin Tirana-Partizani. Veç dënimit të klubit bardheblu dhe atij të Partizanit, FSHF vendosi të dënojë përjetësisht tetë tifozë ultras të Tiranës. “Alban Rexha, Getard Çeliku, Mateos Majani, Aksel Manxhari, Thanas Vendo, Bledra Luga dhe Gentian Qosja, nuk do të futen më përjtetësisht në stadium për çdo aktivitet të organizuar nga FSHF”, thuhet në vendimin e Komisionit të Disiplinës.
Po personazhet e sipërpërmendur nuk janë emra të panjohur, të paktën brenda tifozerisë së Tiranës dhe klubit bardheblu. Alban Rexha është një ish-futbollist, ndërsa më pas anëtar i tifozerisë ultras të Tiranës. Ai, gjithashtu prej kohësh punon edhe si menaxher lojtarësh, kryesisht në kampionatin vendas.
Por, incidenti i të dielës në mbrëmje nuk ishte i pari ku Alban Rexha, apo Getard Çeliku ishin protagonist, të paktën sipas dënimit të dhënë nga FSHF. Në 2017, kur klubi i Tiranës vendosi t`i hap “shtëpinë” rivalëve të përjetshëm, Partizanit. Klubi i kuq nisi të luante ndeshjet pritëse në “Selman Stërmasi”. Por ky vendim i Tiranës nuk i mirëprit nga tifozët ultras të klubit. Një grup prej organizuan një protestë dhe shkuan në kompleksin “Skënder Halili” duke u përplasur verbalisht me lojtarët e Tiranës.
Getard Çeliku ishte një prej tyre, i cili u kërkoi me tone të larta dhe imponuese lojtarëve të Tiranës që të jepnin mendimin e tyre për vendimin e klubit. Pra të dilnin pro ose kundër vendimit, që Partizani të luante ose jo në “Selman Stërmasi”. Protagonist në atë ngjarje ishte dhe Alban Rexha, i cili në një intervistë për “Panorama Sport”, deklaroi më pas se ishin “tradhtuar” nga Presidenti i Tiranës Refik Halili, pasi u kishte premtuar se “nuk do të lejonte Partizanin të luante në ‘Selman Stërmasi”.
“Po, natyrisht. Ndodhi pabesia më e madhe. Ne si tifozë tashmë duam të dimë se kush e bën këtë presion kaq të madh që ky stadium të jepet te kundërshtari ynë. Kjo është logjika e thjeshtë e gjërave, pasi ishte vetë presidenti që na premtoi se nuk do të jepet stadiumi”, shprehej Rexha. Ndërkohë, kujtojmë se Tirana mbështetet nga disa tifo-grupe.
“West Boy”, vendosen gjatë ndeshjeve në Tribunën C2, “Tirona Fanatics” vendoset në Tribunën D2 dhe “Capital Crew”, i krijuar së fundi, vendoset në Tribunën G2. Pikërisht, ky sektor gjendet shumë pranë sektorit H2, ku gjatë ndeshjes derbi pozicionohen tifozët e Partizanit. Përballë kësaj tribune, u gjetën dhe tre gropat e mbushura, sipas policisë, me lëndë plasëse, ndërsa fitili ndezës ishte pikërisht në tribun G2, ku gjendeshin tifozët “Capital Crew”. /Realstory.al./