Sipas një studimi të fundit të Eurostat shqiptarët në vitin 2100 do të jenë më të moshuarit e Ballkanit.
Vetëm në 10 vitet e fundit numri i individëve mbi 85 vjeç është rritur me 22%, ndërsa në krahasim me një vit më parë me 5%.
Të dhënat e INSTAT mbi popullsinë raportojnë se në 1 janar 2019 kishte në Shqipëri 24,186 të moshuar mbi 85 vjeç, nga rreth 23 mijë që përllogariteshin në 1 janar të vitit 2018. Me hyrjen e mijëvjeçarit të ri, numri i të moshuarve ka pësuar rritje drastike. Kështu sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2001 kishte vetëm 14,866 persona të moshës mbi 85 vjeç, apo rreth 40% më pak se sa ka aktualisht.
Ndërsa përsa i përket Europës, Eurostat parashikon se deri në 2050 numri i njerëzve që e kanë kapur moshën 100 pritet të arrijë në 500 mijë, ndërkohë që në vitin 2018 ishin 106 mijë.
Ndërkohë që Kombet e Bashkuara parashikojnë se midis viteve 2017 dhe 2030, numri i personave të moshës 60 vjeç ose më shumë në botë parashikohet të rritet me 46%.
Të dhënat janë edhe më të trishta kur bëhet fjalë për parashikimin e moshës mediane të popullsisë shqiptare në 2100, prej 53.2 vite, më e larta në rajon. Nga vendi me popullsinë më të re, shqiptarët do të jenë shumë shpejt “pleqtë” e Ballkanit Perëndimor, raporton Monitor.
Pas Shqipërisë, projeksionet parashikojnë se moshën më të lartë mediane do ta ketë Mali i Zi me 50.3 vjeç, pasuar nga Bosnjë dhe Hercegovina me 49.8 vjeç, Serbia dhe Maqedonia me 48.7. Ndërsa mosha mediane në botë përllogaritet që deri në 2100 të jetë 41.6.
Ndërkohë që 50 vjet më parë, Shqipëria kishte popullsinë mediane më të re të rajonit me një moshë mediane prej 19.6 vjet, madje më të ulët edhe se mosha mediane botërore prej 21.5 vjet.