“Basha është për maxhoritar të pastër. Pro listave të hapura”

AKTUALITET


Ndryshimi i sistemit zgjedhor është një kërkesë e vazhdueshme e partive të vogla, por siç duket këtë herë mbështetet edhe nga PD. Ish deputeti Ervin Salianji thotë se për PD ndryshimi i sistemit zgjedhor është thelbësor. Ai thotë se kreu i partisë Basha është pro një sistemi maxhoritar të pastër dhe pro listave të hapura të deputetëve, ndërsa ai vetë mbështet sistemin proporcional kombëtar, njëlloj siç e ka Kosova. Salianji thotë se PD gjithmonë ka qenë pro ndryshimit të sistemit por nuk e ka theksuar në publik pasi për të më shumë rëndësi ka lufta ndaj shitblerjes së votës dhe lufta ndaj përfshirjes së krimit në zgjedhje.

“PO e madhe; PD e ka thënë e para si kauzë kryesore ndryshimin e sistemit, ndryshim i sistemit kushtetues dhe zgjedhor, vendimmarja të shkojë tek qytetarët, ka thënë Basha. Disa që duan të  dëmtojnë Bashën dhe që duan që të dëmtojnë opozitën propagandojnë që nuk duam ndryshim sistemi. Por ne sot nuk e kemi potencuar sepse me shitblerjen e votës dhe përfshirjen e krimit në zgjedhje nuk ka qenë çështje e sistemit dhe ne kemi potencuar sigurimin e zgjedhjeve te lira prandaj ka dalë nga vëmendja. Basha ka thënë që personalisht është për maxhoritar të pastër apo për lista të hapura por vendimmarrja do i takojë strukturave të partisë dhe prandaj kemi vendosur tek PD.al te pyesim qytetarët”, theksoi ai në emisionin “Zonë e Lirë”.

Salianji u shpreh se personalisht është për sistem kombëtar me lista të hapura. Një sistem të tillë e përdor edhe Kosova.

“Personalisht jam për proporcional kombëtar me lista të hapura sepse 1) shmang ndikimin lokal që ka krimi në zona të kufizuara, 2) vendimmarrjen ja le qytetarit, qytetari zgjedh emrin e deputetit mes 140 emrave te propozuara nga partia, 3) shmang pronësinë që i ka bërë Rama qeverisjes duke vendosur njerëz nga hiçi, të pa votuar dhe rrjedhimisht pa përgjegjshmëri ndaj publikut por vetëm detyrim ndaj Ramës, 4) e kthen politikanin në shërbyes të publikut, e çon deputetin tek qytetari dhe tek mbrojtja e interesit të tyre etj”, shtoi ai.

Sistemi aktual zgjedhor me lista të mbyllura deputetësh u jep mundësi krerëve të partive që ta hartojnë të vetëm listën e kandidatëve për deputetë. Kreu i PD-së Basha është kritikuar ashpër për hartimin e listës së deputetëve të PD-së, pasi ka lënë jashtë kritikët e tij,  që kanë qenë figura të rëndësishme në PD, siç janë Jozefina Topalli, Majlinda Bregu, Astrit Patozi etj. Siç thotë Salianji, Basha këtë herë mbështet sistemin maxhoritar të pastër, por problemi qëndron tek mënyra sesi do të realizohet ndryshimi i tij, pasi PD ka refuzuar të marrë pjesë në komisionin për reformën zgjedhore duke kërkuar që reforma të zhvillohet jashtë parlamentit; kërkesë kjo që është hedhur poshtë si nga maxhoranca ashtu edhe nga opozita parlamentare, (të cilën Basha nuk e njeh), por që kanë votat për të ndryshuar sistemin zgjedhor dhe nene të tjera të rëndësishme në Kodin Zgjedhor./realstory.al



Skip to toolbar