Djegia e makinës së Lelit, dyshimet e policisë për hakmarrje

AKTUALITET


Makina e kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Leli u shkrumbua nga flakët e zjarrit disa ditë më herët, por policia ende nuk ka një autor të arrestuar për ngjarjen, por ka një pistë hetimi. Djegia e makinës së Lelit mund të jetë bërë për hakmarrje dhe policia i ka përqendruar hetimet për gjetjen e autorëve tek përplasjet e banorëve në zonën e Radhimës, ku po zhvillohet një aksion për prishjen e mbi 60 ndërtimeve në breg të detit.

Televizioni A2news citon burime pranë Drejtorisë së Policisë së Vlorës, të cilët thonë se dyshimet më të mëdha janë që djegia e makinës së kryebashkiakut të jetë bërë nga persona që u janë cenuar interesat nga prishjet që po vijojnë në bregdetin e Radhimës.

Edhe pse policia ka ngritur dyshime konkrete mbi motivet e kësaj ngjarjeje, ende nuk ka asnjë emër konkret të dyshuar. Nga deklaratat e dëshmitarëve, në zonën ku u dogj automjeti janë parë të lëviznin dy motorë që dyshohet se janë përdorur nga autorët e kësaj zjarrvënieje të qëllimshme.

Ndërkohë, burimet policore pohojnë se vetë kryetari i Bashkisë së Vlorës nuk ka dhënë ndonjë version konkret për djegien e automjetit që ai përdorte.

“Nuk di të kem ndonjë mosmarrëveshje që të justifikojë këtë veprim”, mësohet të ketë deklaruar kryebashkiaku Leli përpara oficerëve të Policisë Gjyqësore. Ndërkohë, Vlora është qyteti ku janë shënuar më shumë raste të djegieve të automjeteve dhe që thuajse të gjitha ngjarjet kanë mbetur të pazbardhura.



Skip to toolbar