“Mini-Shengeni”, Kurti: Tirana ta shohë Serbinë me sytë e Kosovës

AKTUALITET


Nuk thotë as po as jo për Shengenin Ballkanik, por Albin Kurti, kryeministri i ardhshëm i Kosovës thotë se mezi pret të takohet me qeverinë e Shqipërisë për të folur më shumë rreth kësaj ideje, ndërsa vë theksin se në nisma të tilla, Kosova nuk duhet të përjashtohet. Kurti gjithashtu thotë se është e rëndësishme që Tirana zyrtare ta shohë Serbinë me sytë e Kosovës.

“Në njëfarë mënyre të tria këto vende tashmë e kanë lirinë e lëvizjes e kanë liberalizimin e vizave, këtu çështja është që Kosova ta fitojë këtë gjë. Unë jam i bindur që për liberalizimin e vizave të Kosovës thelbësore është Prokuroria Speciale, pra liberalizimin e vizave nuk do ta sjellë qeveria e re por aktiviteti i ri i Prokurorisë Speciale atëherë kur ajo do të jetë e çliruar prej ekzekutivit. Unë synoj që të takohem me qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe të shohim më konkretisht se për çfarë bëhet fjalë, por mendoj që në të gjitha këto iniciativa është tejet e rëndësishme që Kosova të jetë gjithnjë e pranishme, e përfaqësuar, të marrë pjesë, sepse Serbia duhet të shihet me sytë e Kosovës nga Tirana zyrtare”, është shprehur Kurti për Zërin e Amerikës.

Të enjten në Novi Sad presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, nënshkruan një deklaratë për atë që ata e kanë quajtur si një “mini shengen” ballkanik dhe që synon krijimin e një zone të lirë ekonomik në Ballkan. Në këtë deklaratë ka një ftesë të hapur për Kosovën dhe Malin e Zi ndërsa Rama ka theksuar se nuk ka asnjë veto për Kosovën nga Serbia.

Kryeministri i ardhshëm i Kosovës Albin Kurti ka folur për Voa edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, ndërsa e ka cilësuar këtë një kapitull të mbyllur.

“Projekti për shkëmbimin territorial midis Kosovës dhe Serbisë ka dështuar. Më duhet të pranoj se ideja nuk ka vdekur, projekti ka dështuar – ideja nuk ka vdekur. Me qeverinë tonë jo vetëm që projekti i dështuar vuloset, mirëpo vdes edhe një ide e tillë meqenëse nuk mund të shtiremi thua se jemi para një çerek shekulli dhe me lapsa mbi hartë luajmë rolin e (Franjo) Tugjmanit e Millosheviqit teksa ndajnë dhe copëtojnë Bosnjën. Mendoj që ajo kohë ka kaluar, ajo është kohë lufte. Tash jemi në kohë të paqes kur kemi nevojë që sa më shpejt të bëjmë hapa të qëndrueshëm drejt anëtarësimit të të gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”, ka theksuar Kurti./realstory.al



Skip to toolbar