Bënë kërdinë me pyjet, 5 zyrtarë në pranga

AKTUALITET


Një operacion i gjerë policor është ndërmarrë në qarkun e Korçës duke vënë në pranga 5 zyrtarë të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura të cilët akuzohen për shpërdorim detyre dhe për mos marrjen e masave për prerjen masive të pyjeve. Ndërkohë që ndaj 4 personave të tjerë ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.

Pas një hetimi një mujor policia e Korçës ndërmori operacionin e koduar “Prespa” dhe bëri të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasve:  O.D, 38 vjeç, banues në Korçë me detyrë përgjegjës monitorimi pranë Agjensisë së Zonave të Mbrojtura në Qarkun Korçë.

V.M, 58 vjeç, banues në fshatin Gollomboç, Liqenas me detyrë përgjegjës menaxhimi pranë AZM.  E.L, 48 vjeç, banues në Korçë me detyrë roje pranë AZM. A.V, 43 vjeç, banues në Goricë të Madhe, me detyrë roje pranë AZM. V.J, 65 vjeç, banues në Goricë të Madhe, me detyrë roje pranë AZM. Si dhe filloi procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit E.A, 34 vjeç, banues në Korçë, me detyrë roje pranë AZM.

Këta shtetas sipas policisë në bashkëpunim me njëri- tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën, duke mos zbatuar procedurat ligjore të kontrollit për zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Prespës, ku në ngastrat 51 e 52 të së cilës, kanë lejuar prerjen e paligjshme të pyjeve, duke shkaktuar dëmtime të rënda të kësaj zone.

Gjithashtu në lidhje me këtë ngjarje, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë edhe ndaj 4 shtetasve, M.S; D.B; J.N dhe D.S, të cilët u kapën në flagrancë duke prerë lëndë drusore pa leje, në zonën e mësipërme.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 50 m sterë dru, 4 mjete, si edhe 5 copë motorsharra.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.



Skip to toolbar