E hëna shënon nisjen e vitit të ri akademik për të gjitha fakultetet në mbarë vendin. E ndërsa studentët drejtohen nëpër auditore, ministrja e Arsimit, Besa Shahini u është drejtuar me një video mesazh ku premton vijimin e përgjysmimit të tarifave të studimit në zbatim të Paktit për Universitetin.
“Të dashur studentë sot fillon viti i ri akademik dhe ne kemi kaluar të gjithë muajt e verës për të realizuar Paktin për Universitetin. Do vazhdojmë me përgjysmimin e tarifave për të gjithë studentët e ciklit të parë dhe të integrua. Do vijojmë me dhënien e bursave për studentët ekselentë dhe kategoritë në nevojë. Kemi investuar në konviktet në të gjithë Shqipërinë. Mos harroni ta përdorni bibliotekën dixhitale për të realizuar studimet tuaja”, shprehet Shahini.
Një vit më herët studentët në mbarë vendin organizuan protesta paqësore përmes të cilave kërkuan tarifa më të ulëta studimi. Kjo solli hartimin e një plani masash nga ana e qeverisë, e cila hartoi Paktin për Universitetin, që përmban jo vetëm përgjysmim tarifash por edhe bursa për studentët ekselentë dhe kategoritë e studentëve në nevojë.