Ish drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj është përballur të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ku është hetuar për pasurinë, anën profesionale dhe pastërtinë e figurës. Më herët Hadarmataj u përjashtua nga KLP nga gara për SPAK pa dhënë shpjegime, ndërsa gjatë seancës së të hënës KPK ka vlerësuar se ka bërë deklarim të saktë të pasurisë, ka burime të ligjshme dhe nuk ka kryer fshehje të pasurisë.
KPK është shprehur se pas hetimeve ka figuruar se Hajdarmataj ka dy depozita bankare, një me 5 milionë dhe një tjetër me vlerë 1 milionë. Sipas KPK këto llogari e kanë burimin nga kursimet e pagës prej vitit 1997 deri në vitin 2016, duke deklaruar se deklarimet e tij përputhen.
Në llogari të Hajdarmataj janë edhe dy shuma parash, prej 6 mijë eurosh dhe 4 mijë paundësh të dërguara nga i vëllai me banim në Angli. KPK deklaron se pas verifikimeve ka rezultuar se i vëllai figuron me punësim të ligjshëm në Angli duke i quajtur dhuratat të justifikuara.
Përsa i përket pastërtisë së figurës KPK ka njoftuar se në raportin e DSIK, thuhet se Hajdarmataj është i përshtatshëm për të vazhduar detyrën. Si drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Hajdarmataj ka regjistruar 40 procedime penale dhe nuk ka pasur masa disiplinore për punën e kryer, ndërsa nuk rezulton të ketë kontakte me persona të papërshtatshëm.
Sipas KPK pas përfundimit të hetimit, pranë ONM kanë ardhur 3 denoncime anonime mbi Hajdarmataj, por asnjë prej denoncimeve nuk është provuar me fakte.
Vendimi për Besim Hajdarmataj nga KPK do të jepet në datë 16 Tetor, ora 10:00.