Banorët e Astirit, si PD: Japim kohë deri më 19 tetor

AKTUALITET


Ndryshimet në Kodin Penal që sollën edhe arrestimin e 10 personave në zonën e Astirit për shkak të bllokimit të rrugës, kanë sjellë një tërheqje taktike të banorëve, megjithëse në deklaratat e tyre ata shprehen se nuk bëjnë asnjë hap pas. Për herë të parë pas protestave disamujore, edhe me konsulencën e PD, e cila është angazhuar me forcat e saj për këtë organizim, banorët e Astirit kanë dërguar një shkresë në komisariatin nr. 6, (organi që ka në juridiksion zonë ku bllokohet rruga), nëpërmjet të cilës njoftojnë se protestat e tyre do të vazhdojnë deri më 30 nëntor.

Banorët e Astirit do të zhvillojnë të hënën protestën e fundit dhe do të rikthehen sërish në datën 19 tetor, një ditë pasi të jepet vendimi për çeljen ose jo te negociatave me Bashkimin Europian. Një vendim i tillë, sipas tyre vjen si një kërkesë për reflektim nga ana e qeverisë, ndërsa kanë paralajmëruar për përshkallëzim të protestës më 19 tetor, ashtu siç ka paralajmëruar edhe PD.

“Sot në 18:30 nis protesta për mbrojtjen e banesave. Deri në datë 18 s’do ketë protesta. i lëmë kohë qeverisë të lirojë protestuesit. Qeveria ka kohë deri në datë 18 tetor, në 19 flasim ndryshe. Me qytetari nuk merrni vesh”, tha njëri prej banorëve.

“Njoftimi është për protesta deri në 30 nëntor. Pastaj do të bëjmë një tjetër njoftim. Nuk kërkojmë leje, sepse të drejtën për të protestuar na e garanton Kushtetuta. Nuk tërhiqemi edhe nëse na arrestojnë të gjithëve”, tha një tjetër banore e Astirit. Por në të vërtetë, kjo është hera e parë që banorët kanë njoftuar për protestë, pasi nuk kishin bërë asnjë njoftim të mëparshëm.

Një njoftim i tillë duket qartë që është instruktuar nga PD, pasi ka të njëjtën mënyrë referimi, siç përdorte opozita për protestat e saj disa mujore pas djegies së mandateve. Megjithatë, ky njoftim nuk i shpëton banorët e Astirit nga përgjegjësia penale, pasi ashtu siç edhe vetë e kanë cilësuar në njoftimin e tyre për policinë, tubimet në sheshe dhe rrugë publike bëhen sipas procedurave të përcaktuara me ligj. Sipas këtij konstatimi, por edhe ligjit “Për tubimet”, në raste të tilla duhet marrë leje pranë organeve të policisë, ose ndiqen penalisht organizuesit e tubimeve, që tashmë me ndryshimet në Kodin Penal, masat janë edhe më të ashpra.



Skip to toolbar