Votat me helm, edhe 48 orë për analizat. Vuçiç: Skenar kundër Listës Serbe

KOSOVA


Pas helmimit nga kutitë e votave që erdhën nga Serbia, gjendja shëndetësore e të helmuarve duket e qëndrueshme, por spitali thotë se ata do të mbahen edhe 48 orë nën vëzhgim derisa të dalin rezultatet e analizave.

Drejtoresha e Klinikës Infektive, në qendrën klinike universitare në Kosovë, Lindira Berisha, ka dhënë detaje të reja rreth gjendjes shëndetësore të punonjësve të KQZ-së që dyshohet se pësuan reaksione alergjike nga zarfet e votave që vinin nga Serbia.

Ajo theksoi se aktualisht në këtë Klinikë po mjekohen 11 pacientë nga ky rast, 9 femra 2 prej të cilave janë shtatzënë dhe 2 meshkuj të tjerë. Ajo tha se gjendja shëndetësore e dy grave shtatzëna është e qëndrueshme. Më pas Berisha shtoi se për momentin nuk mund të jepet asnjë diagnoze për sa i përket pacientëve, pa ardhur rezultatet laboratorike. Sipas saj duhet pritur të paktën 48 orë.

Policia e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë informatë shtesë lidhur me hetimet që po zhvillon, derisa në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, thonë se janë duke pritur autoritetet kompetente që të dalin me përfundimet e tyre lidhur me këtë rast, në mënyrë që më pas, KQZ-ja të vazhdojë punën normale.

Për këtë rast të rëndë ka reaguar edhe Serbia, e cila e ka cilësuar si makinacion për të shfuqizuar listën serbe. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha se është shumë i shqetësuar për situatën në Kosovë, dhe se çdo përpjekje për të “shfuqizuar” Listën Serbe mund të ketë pasoja katastrofale për marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve. Ai akuzoi shqiptarët se kishin shpikur “disa tregime për zarfe helmuese me vota nga Serbia”. “Tashmë ata nuk janë më të sigurt nëse janë helmuar. Ata nuk dinë çfarë të shpikin, por konstatojnë se Lista Serbe duhet të shfuqizohet. Kjo, do të ketë pasoja katastrofale për marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve sepse serbët nuk do të jenë më në institucione. Dhe kur serbët nuk janë në institucione, ju e dini si do të duhet të mbrojnë lirinë dhe vatrën e tyre ”, tha Vuçiç.

Lista Serbe është partia që ka pasur numrin më të madh të deputetëve serbë në legjislaturën e fundit të Kuvendit të Kosovës, dhe konsiderohet si parti që kontrollohet nga Beogradi zyrtar.



Skip to toolbar