Lufta në Siri, Trump, telefonatë me tone të ashpra me Erdogan

AKTUALITET


Nënpresidenti i SHBA-së, Mike Pence tha për mediat se presidenti Donald Trump ka pasur një telefonatë me tone të ashpra me presidentin e Turqisë, Reçep Tayyip Erdogan, të cilit i kërkoi ndërprerjen menjëherë të sulmeve ndaj forcave kurde në Siri.

Ushtria turke prej disa ditësh po zhvillon një ofensivë në veri të Sirisë kundër luftëtarëve kurdë, të cilët kanë qenë aleatë të SHBA-së në luftën kundër militantëve të grupit ekstremist të ashtuquajtur Shteti Islamik.

Pence tha se presidenti Trump kishte qenë i ashpër me Erdoganin gjatë bisedës.

Nënpresidenti amerikan njoftoi se së shpejti do të udhëtojë në rajon në përpjekje për të ndërmjetësuar krizën, që ka shkaktuar ikjen e më shumë se 160.000 civilë nga shtëpitë e tyre.

 “Shtetet e Bashkuara thjesht nuk do të tolerojnë më tej pushtimin e Turqisë në Siri. Ne po i bëjmë thirrje Turqisë, t’i japë fund dhunës dhe të ulet në tryezën e bisedimeve”, u tha Pence gazetarëve, raporton Reuters.

Njoftimi për udhëtimin e nënpresidentit Pence erdhi disa orë pasi presidenti Trump tha se ai së shpejti do të lëshojë një urdhër ekzekutiv që autorizon sanksione ndaj zyrtarëve të Turqisë.

“Unë jam plotësisht i përgatitur të shkatërroj me shpejtësi ekonominë e Turqisë, nëse udhëheqësit turq vazhdojnë në këtë rrugë të rrezikshme dhe shkatërruese”,tha Trump.

Ofensiva turke filloi pasi forcat amerikane u tërhoqën nga rajoni. Ndërsa Erdogan kërkon që të krijojë një zonë të qetë në veri të Sirisë për të kthyer mbrapsht aty mbi 3 milionë refugjatë që janë dyndur në Turqi.



Skip to toolbar