Policia e Kosovës ka ndërmarrë mëngjesin e së mërkurës një operacion të gjerë në Mitrovicë duke arrestuar dy persona të dyshuar për vrasjen e liderit serb Oliver Ivanoviç rreth një vit më herët. Ngjarja në fjalë ndodhi në Mitrovicë në vitin 2018. Mediat kosovare thanë se njëri nga të arrestuarit është zyrtar serb i Policisë së Kosovës.
Në pranga ka rënë shtetasi Rade Basara, i cili dyshohet se gjatë rastit të vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviç ka marrë pjesë në fshehjen e provave.
Të arrestuarit janë dërguar në Prishtinë ndërsa aksioni vijon në Komunën e Leposaviçit.
Përveç Rado Basarës policia e Kosovës ka arrestuar edhe një person tjetër, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur. Prokurori special që po e heton rastin, Sylë Hoxha ka thënë se ky aksion është bërë në bazë të një urdhërese nga Prokuroria Speciale me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës, saktësisht Departamentit për Krime të Rënda.
“Mund t’ju konfirmojë rreth aksionit. Për momentin kemi arrestuar dy persona si dhe një tjetër është në kërkim. Arrestimi i tyre ka të bëjë me fshehjen e provave që kanë të bëjnë me rastin e vrasjes së ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviç. Mirëpo dyshohen edhe për pjesëmarrje në krim të organizuar”, ka deklaruar Hoxha.
Oliver Ivanoviç, politikani serb në Kosovë u vra rreth një vit më parë, ndërsa po futej në selinë e partisë së tij.