Mëngjesin e së enjtes Marsida Qatja publikoi një mesazh nga burri që ka në burg në Gjermani i cili i kërkonte të shkonte ta vizitonte, por prokuroria mori menjëherë masat për të ndaluar daljen e Marsidës jashtë shtetit, duke i sekuestruar pasaportën, ndërkohë që ka kërkuar detyrim paraqitje për të.
Marsida e ka pasur ritual udhëtimin një herë në muaj në Gjermani, aty ku takonte bashkëshortin e saj që ndodhet në burg.
Por tashmë ndaj saj është regjistruar procedim penal pas vrasjes që ndodhi në banesën e saj dhe prokuroria ka kërkuar detyrim paraqitje, por gjykata ende nuk ka dhënë vendim për masën e sigurisë.
Gjithashtu në Prokurori Qatjas i është kërkuar të mos flasë më në media për ngjarjen pasi është person që ka dijeni dhe mund të rrezikojë hetimet.
Prokuroria ka regjistruar çështjen në ngarkim të Qatjas për nenin 285/1 të Kodit Penal, që është “përshtatje të ambienteve për konsumim droge”, akuzë për të cilën 30-vjeçarja mund të rrezikojë pesë vite burg.
Rreth një javë më herët në shtëpinë e Qatjas mbeti i vrarë Dritan Haxholli i cili u qëllua me armë zjarri nga polici i burgjeve Bledar Toci.