Kapet me mina e drogë, lirohet pas një viti vëllai i Alketa Vejsiut

AKTUALITET


Gjykata e Lezhës ka liruar nga burgu Endrit Vejsiun, vëllain e prezantueses së njohur Alketa Vejsiu, i cili një vit më herët u arrestua nga policia pasi u kap duke transportuar 4 mina me telekomandë, 3 kg kanabis dhe pistoletë.

Gjykata e dënoi Vejsiun me 10 vite burg për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, por pas 1 viti e ka ndryshuar vendimin duke e nxjerrë atë nga burgu dhe duke e dënuar me shërbim prove.

I dënuari Vejsiu pranoi në gjykatë akuzat dhe kërkoi gjykim të shkurtuar dhe nga 10 vite burg përfitoi ulje dënimi, duke e dënuar atë me 4 vite burg.

Por në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal u urdhërua pezullimi i ekzekutimit të pjesës së dënimit të mbetur pavuajtur, duke e vënë në provë të pandehurin, për një periudhe kohe pre, 5 (pesë) vitesh, me kusht që gjatë kësaj kohe, duke filluar nga dita e nesërme e shpalljes së këtij vendimi, i pandehuri të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte me Zyrën e Shërbimit të Provës në Tiranë.

Endrit Vejsiu u arrestua nga policia e Lezhës mbrëmjen e 30 shtatorit të vitit 2018, pasi në aksin rrugor Milot-Lezhë, në automjetin e tij u gjeten të fshehura  4 mina me telekomandë dhe 3 kilogramë kanabis. Nga hetimet e prokurorisë, Vejsiu rezulton se ka shërbyer si korrier i një personi tjetër, që kishte si synim të trafikonte katër mina nga porti i Shëngjinit në drejtim të Italisë.

Mbi Vejsiun rëndonin dy akuza “prodhim dhe shitje të narkotikëve” për të cilin parashikohet dënim nga 5 deri në 10 vjet burg dhe “prodhim të armëve, armëve shpërthyese e municionit”, po ashtu me dënim nga 5 deri në 10 vjet. Gjykata i dha atij minimumin e dënimit të parashikuar nga ligji. Ndërsa pak ditë më herët,  e liroi atë nga burgu.



Skip to toolbar