Gjobitje dhe vrasje, gjykata lë në burg vëllezërit Basho

AKTUALITET


Gjykata ka marrë vendimin “arrest me burg” për dy vëllezërit  Tesilvan dhe Satilno Basho, anëtarë të bandës së Llanajve në Vlorë. Seanca për dy vëllezërit është zhvilluar e ndarë dhe ata janë shoqëruar në masa të rrepta sigurie. Për Tesilvan Bashon seanca është zhvilluar në Gjykatën e Vlorës. Ai është arrestuar me qëllim ekstradimi pasi ishte në kërkim nga Itali për vrasje.  Ndërsa seanca për Satilno Bashon është zhvilluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, me akuzën e ‘shtrëngim me dhunë për dhënie për dhënie pasurie’. 

Ai akuzohet se ka gjobitur dajën e mamasë, biznesmenin Sulejman Hoxha me 100 mijë euro. Ai i ka mohuar këto akuza, sipas së cilit ato para i takonin për shkak të një toke të përbashkët.

“Nuk kam lidhje me këtë akuzë. Unë kam shumë marrëdhënie të mira me dajën. Më ka ndihmuar sa herë që kam pasur nevojë. Ai kërkoi vetë që të shkoja e ta takoja unë për të marrë lekët dhe kur e kam marr vesh që është ankuar në polici i kam thënë “pse më fut mua në këtë mesele”. Atëherë e kam takuar edhe dajën dhe më ka thënë “nëse ti arrestohesh unë do vij të deklaroj se ti s’ke lidhje me këtë gjë. Më pas ky konflikt pronësie u zgjidh mes familjeve tona”, tha Satilno Basho në gjykatë.

Në fund të seancës, avokati mbrojtës tha se do të ankimojnë vendimin, me argumentin se Basho nuk ka kryer asnjë vepër penale. “Nuk është gjobvënie. Biznesmeni ka zënë tokën e këtyre dhe ai ka paguar pronën e zënë. Paratë ia ka dhënë disa herë në shuma të ndryshme. Do të ankimojmë vendimin sepse nuk ka vepër penale”, tha avokati.

Ndërsa vëllai tjetër Tesilvan Basho konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë, i dënuar në Itali me burgim të përjetshëm për vrasje, si dhe me precedent të theksuar kriminal në Shqipëri, në fushën e krimeve kundër personit dhe në fushën e narkotikëve. Ai akuzohet nga Italia për vrasjen e dy vajzave që ushtronin prostitucion në qytetin e Torinos.



Skip to toolbar