Mijëra protestues po marshojnë në Londër duke kërkuar nga parlamentarët një marrëveshje përfundimtare për Brexit, ndërsa deputetët debatojnë për marrëveshjen e Boris Johnson me BE. Mediat britanike raportojnë se dhe nëse nuk do të ketë shtyrje të votimit për marrëveshjen e arritur për Brexit, në parlamentin britanik, sërish ajo nuk do të miratohet. Marrëveshjes i duhen të paktën 320 vota për t’u miratuar në Parlament.
Parlamenti britanik pritet të vendosë për marrëveshjen e re të arritur dy ditë më parë mes Mbretërisë se Bashkuar dhe Bashkimit Europian. Sipas mediave britanike, për shkak të debateve në parlament, nuk do të ishte çudi nëse do të shtyhej votimi. Kjo është hera e parë që nga viti 1982, që parlamenti britanik mblidhet të shtunën. Debatet e para kishin të bënim me amendamentet e prezantuara një ditë më parë nga ish deputeti konservator Oliver Letuin. Nëse ato miratohen, votimi për marrëveshjen për Brexit do të shtyhej pasi parlamenti të ketë miratuar legjislaturën e duhur për implementimin. Një shtyrje vote që do të detyronte kryeministrin Johnson që të negociojë një shtyrje të re me Bashkimin Europian.
Amendamentet e Letuin i japin zë mosbesimit dhe dyshimeve të një pjese të madhe të deputetëve. Frika është se në rast të një marrëveshjeje, krahu më i ashpër i konservatorëve pro Brexit, do të fundosë miratimin e impiantit legjislativ të domosdoshëm. Në fjalën e tij të hapjes në parlament, Johnson u shpreh se një shtyrje do të ishte e pamenduar, e kushtueshme dhe do të dëmtonte besimin publik. Kryeministri theksoi se një shtyrje tjetër pas tri vitesh e gjysmë nuk do të kishte kuptim në momentin që në tryezë ndodhet një marrëveshje e madhe që mund të miratohet.
Ndërsa jashtë, turmat janë mbledhur në Hyde Park, Circus Oxford dhe jashtë Parlamentit, ku deputetët janë ulur për të diskutuar marrëveshjen e fundit të arritur mes Johnson dhe BE. Kryebashkiaku i Londrës Sadiq Khan është në mesin e protestuesve. Duke folur për ‘Independenti, ai tha se Boris Johnson po i ofron popullit britanik ‘një zgjidhje të tmerrshme dhe të rreme për Brexit’. Ai e përshkroi marshimin e sotëm si një nga protestat më të mëdha, më të rëndësishme dhe më historike që ky vend ka parë ndonjëherë ”, ndërsa i bëri thirrje kryeministrit t’i jepte publikut fjalën e fundit për Brexit përmes një referendum të ri. “Ne do të marshojmë së bashku, jo sepse dëshpërohemi për demokracinë tonë, por sepse duam ta mbrojmë atë”, tha Sadiq Khan.
Lideri laburist Jeremy Corbin theksoi se nuk do të votojë pro marrëveshjes pasi nuk ka besim te qeveria aktuale, Sipas tij, marrëveshja e arritur nga Johnson do të ishte e dëmshme për ekonominë e vendit, për të drejtat e punëtorëve dhe ambientin.
Marrëveshjes i duhen të paktën 320 vota që të miratohet por rezultati i votimit mbetet ende i paparashikueshëm. E vetmja siguri është se kryeministri mund të mbështetet te Irlanda e Veriut, sipas së cilëve, marrëveshja e re parashikon një ndryshim të papranueshëm në trajtim mes Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut. Por dhe partia kombëtare skoceze është shprehur kundër kësaj marrëveshjeje. Sipas mediave britanike, Johnson ka nga ana e tij krahun e ashpër të konservatorëve dhe rreth 30 deputetë ish konservatorë dhe laburistë.