Kulluri: Berisha s’mund ta zgjidhë krizën në PD

AKTUALITET


Një nga zërat më të fuqishëm në PD kundër kryetarit Basha, Edvin Kulluri thotë se as Berisha nuk mund ta zgjidhë krizën e rëndë në të cilën ndodhet aktualisht kjo parti. Kulluri thotë se PD ka nevojë për një reformë të thellë të brendshme, në mënyrë që qytetarët ta shohin atë si një alternativë për të qeverisur vendin.

“Fatkeqësisht kemi një opozitë të munguar. Një opozitë, e cila pas çdo dështimi të Edi Ramës dhe Rilindjes, dështon në mënyrë akoma më spektakolare, në të njëjtën vijë papërgjegjëshmërie në raport me qytetarët që e mbështesin dhe ata që duhet ta mbështesnin sot nuk janë. Pra ajo shtresa e mesme dhe gri. PD po kalon një tranzicion shumë të rëndë, traumatik për shkak të kalimit nga një lidership që i mbante balancat, sistemin e karrierës, meritokracisë, përfaqësimit përmes autoritetit karizmatik të Berishës, tek një lider shumë i dobët nga kjo pikëpamje, të pavendosur, por fatkeqësisht edhe të paformuar intelektualisht.

Besoj se roli i Berishës si lider historik duhet të kishte qenë shumë më i fortë dhe më reaktiv pas humbjes së vitit 2017. Unë tani besoj se nuk është koha e përshtatshme që Berisha të ndërhyjë për të zgjidhur këtë krizë të rëndë të PD-së. Në PD është nevoja urgjente për reformimin e saj. Një parti me rregulla, një parti me statut të qartë, një parti ku ço anëtar, çdo demokrat dhe çdo qytetar ta shohë këtë parti si një alternativë demokratike të hapur, konkurruese, moderne, perëndimore, krejtësisht ndryshe nga këto fjalë që janë propagandë e kryetarit të partisë dhe të atij ekipi që e rrethon nga humbja në humbje”, është shprehur Kulluri për Ora news.



Skip to toolbar