Drafti i PS për “Zgjedhoren”, transparencë parash, por jo komisione apolitike

#NËRADAR


Të mërkurën u zbardh drafti i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, që pritet të propozojë Partia Socialiste. Në dokumentin prej 11 faqesh, kërkohen disa ndryshime, duke filluar nga financimi i partive politike, barazia gjinore, votimi familjar, veprimtarinë e institucioneve publike në fushatë etj. Një nga ndryshimet kryesore është ajo për financimin e fushatës elektorale. Sipas asaj që propozon PS, “Shkelja e dispozitave për financimin e fushatës zgjedhore nga personi përgjegjës i financës së një partie politike dënohet me një gjobë nga 100 000 deri 200 000 lekë”. Ndërkohë, subjektet zgjedhore që nuk bashkëpunojnë me audituesit e KQZ, do të dënohen nga 2 deri në 3 milion lekë, madje deri në pezullimin e financimit publik të partisë politike për deri në 5 vjet.

Subjektet politike që nuk do të paraqesin raportet financiare siç parashikon afati ligjor, do të dënohen deri në 2 milion lekë. Gjithashtu, partive të cilat nuk kanë deklaruar dhuruesin e fondeve të përfituara, paratë do tu transferohen në llogarinë e KQZ. Një tjetër dispozitë e propozuar nga Partia Socialiste, lidhet me faktin se partitë apo kandidatët që garojnë në fushata elektorale, nëse do të marrin donacione më shumë se 30 mijë lekë, do të duhet që ato t`i kryejnë nëpërmjet transaksioneve bankare. Nëse një parti politike do të pranojë fonde nga donatorë të ndaluar, do dënohet me kalimin e fondeve në llogari të KQZ dhe një gjobë të barabartë me dyfishin e shumës së fondeve të marra.

Një tjetër kërkesë për ndryshim është ajo që “nxit barazinë gjinore për organet e zgjedhura dhe administratën zgjedhore përmes: a) vendosjes së kuotave gjinore në jo më pak se 30 përqind të përbërjes së Kuvendit të Shqipërisë dhe 50 përqind të organeve të njësive bazë të qeverisjes vendore,  b) vendosjes së kuotave gjinore në jo më pak se 30 përqind të përbërjes së të gjithë niveleve të administratës zgjedhore, c) marrjes së masave në reduktimin dhe eleminimin e votimit për të tretët, votimit familjar, ruajtjen dhe garantimin e fshehtësisë së votimit, ç) hartimit dhe publikimit të statistikave operative për pjesëmarrjen e gjinisë më pak të përfaqësuar në ditën e zgjedhjeve, me qëllim sensibilizimin dhe marrjen e masave të duhura për të nxitur më tej këtë pjesëmarrje.”, thuhet në draft.

Ndërkohë, për të shmangur përdorimin e administratës publike në fushatë, një problem i hershëm në zgjedhjet në Shqipëri, PS kërkon disa ndryshime. Në draft parashikohet që institucionet publike, qendrore dhe vendore, do të detyrohen që të raportojnë në KQZ të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën gjashtë muaj para datës së zgjedhjeve deri ditën e zgjedhjeve. Raportimi është përgjegjësi personale e personit përgjegjës për drejtimin administrativ të institucioneve publike, agjencive dhe ndërmarrjeve shtetërore (sekretarit të përgjithshëm të institucionit, ose sipas rastit, e drejtorit të përgjithshëm apo drejtorit ekzekutiv). Raportimi duhet të kryhet jo më vonë se 48 orë përpara afatit të planifikuar për zhvillimin e veprimtarisë.

Kryetarët e partive politike, që do të përfshihen në fushatat elektorale, do të nënshkrujanë një deklaratë ku përmendet angazhimi solemn “për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkuruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet. Teksti i deklaratës përcaktohet me vendim të KQZ-së.”, thuhet në draft.

Lidhur me shqetësimin e blerjes së votës gjatë fushatave elektorale, Partia Socialiste parashikon që “Subjekteve zgjedhore u ndalohet dhe mbajnë përgjegjësi penale në rast se ofrojnë ose japin të holla, të mira materiale, premtojnë për vend pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë, për zgjedhësin ose persona të tjerë të lidhur me të, me qëllim marrjen e firmës për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme për mbështetjen e një kandidati ose partie politike”.

Ndërkohë, është parashikuar që të ndalohet transmetimi në Radio Televizionin Publik i aktiviteteve të institucioneve publike qendrore dhe vendore për qëllime zgjedhore. “Një aktivitet është për qëllime zgjedhore kur ai promovon arritjet institucionale, investimet ose progresin me punët publike ose kur promovon aspekte specifike të programit zgjedhor të subjektit zgjedhor”, thuhet në draft.

Një nga akuzat e ngritura shpesh gjatë dhe pas fushatave zgjedhore, është fakti se personat që janë shfaqur si donatorë të partive apo kandidatëve, kanë përfituar më pas kontrata publike. Sipas ndryshimeve që parashikon Partia Socialiste: “Personat fizikë ose personat juridikë që i kanë bërë dhurime një partie politike apo kandidati në zgjedhje nuk mund të përfitojnë për periudhën deri 3 vjet pas datës së zgjedhjeve, kontrata publike, kontrata të partneritetit publik privat ose në çdo mënyrë mënyrë tjetër fonde me vlerën torale që tejkalon shumën prej 10 milion lekë, përfshirë edhe si nënkontraktues të një kontrate/koncesioni publik.”

Partia Socialiste parashikon që në ndryshimet e Kodit Zgjedhor, KQZ të krijojë një portal për denoncimet në lidhje me financimet. “KQZ-ja krijon dhe mirëmban për periudhën 6 muaj para datës së zgjedhjeve deri në gjashtë muaj pas datës së zgjedhjeve portalin në internet, me akses të lirë, për të denoncuar prej kujtdo shkeljet e mundshme të këtij Kodi nga subjektet zgjedhore dhe kandidatët në lidhje me financimin e fushatës”. Megjithatë, në propozimet e draftit të PS, nuk është pasqyruar ende kërkesa OSBE/ODIHR për miratimin e komisioneve zgjedhore apolitike. Në fakt, duket se këtë pikë Partia Socialiste e lë të hapur për diskutime dhe me opozitën në Kuvend dhe atë jashtë parlamentit, palë të cilat do të duhet të paraqesin gjithashtu mendimet e tyre për Kodin e ri Zgjedhor. /Realstory.al/



Skip to toolbar