Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu tha të mërkurën se një nga krerët e celulës terroriste iraniane të zbuluar në Shqipëri, është shtetasi turk, Abdulselam Turgut, i njohur si bos droge në Turqi dhe që njihet për trafikun e heroinës. Sipas Veliut Turgut ka lidhje edhe me krimin e organizuar shqiptar. Madje ai është arrestuar dhe është burgosur nga policia shqiptare në vitin 2011 i akuzuar për trafik heroine, por më pas është lënë i lirë nga gjykata shqiptare.
“Turgut është i njohur si një bos mafioz turk dhe kreu i një rrjeti të fuqishëm ndërkombëtar të trafikut të drogës është burgosur së fundmi në Azerbajxhan dhe në Turqi me akuza për trafik droge.
TURGUT ka gjithashtu lidhje të vjetra me krimin e organizuar në Shqipëri. TURGUT është liruar nga një burg në Turqi në fund të vitit 2018. Në vitin 2011, TURGUT është burgosur gjithashtu në Shqipëri me akuza në lidhje me trafikimin e dyshuar të rreth 1 ton heroinë, por u arratis nga vendi duke përdorur një pasaportë false, pasi gjykata ndërroi masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie”, tha Ardi Veliu, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në deklaratën për mediat, lidhur me zbulimin e celulës terroriste iraniane.