Vuçiç “shkarkoi” Bushatin: Solli idenë me shqiptarë në Tiranë

POLITIKË


Arsyeja e “shkarkimit” të ministrit Bushati duket se ka qenë teza e Vuçiç ose Serbisë së vjetër, për ndryshimin e kufijve Serbi-Kosovë. Kjo tezë e Vuçiç u soll në Tiranë përmes shqiptarëve me influencë që paraqitën tezat dhe hartat e tyre në zyrën e Ministrit të Jashtëm. Ish ministri Bushati nuk i dha përgjigje të drejtpërdrejtë arsyes së heqjes së tij, por tha në “Real Story”, se kjo është një teze e vjetër serbe që është promovuar nga shqiptarë me influencë në zyrën e Ministrit të Jashtëm dhe për këtë ka pasur diskutime të zjarrta dhe me kryeministrin Rama. I pyetur nga gazetari Sokol Balla por edhe analisti Fatos Lubonja nëse kriza e marrëdhënies me Ramën apo largimi i tij erdhi pikërisht për shkak të çështjes së kufirit mes Serbisë dhe Kosovës, Bushati tha se ka qenë kundër ndryshimit të kufijve, por nuk ka pasur asnjëherë presion për të dalë me një qëndrim në lidhje me të.

“Korrigjimi i kufirit Kosovë-Serbi? Nuk ka pasur thyeje mes SHBA dhe BE apo Gjermanisë. Është një çështje e vjetër që e ka origjinën në Serbi. Jam pro një marrëveshje, por jam kundër korrigjimit të kufirit. Nuk më është kërkuar asnjëherë. Nuk kam pasur asnjë presion për këtë çështje për të dal pro apo kundër. Gabim është qe në humbëm 1 vit e gjysmë me këtë teme, si Shqipëri, si Kosovë, për një temë që nuk është në interes të kombit shqiptarë. Fakti që ka një pikë të tillë në kushtet e Bundestagut do të thotë se është humbur një kohë e vlefshme që nuk është në interesin tonë kombëtar ku përfshihet dhe Kosova dhe situata në rajon. Kjo çështje nuk ka ardhur e propozuar në zyrën tim nga kryeministri, presidenti, por ideja e Vuçiç është promovuar në zyrën e ministrit të jashtëm nga njerëz të tjerë me influencë. Unë kam një arkiv të pasur me debate të zjarrta për këtë çështje.” tha Bushati

Deklaratat e ish ministrit Bushati për ndryshimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, analisti Lubonja i ka çuar edhe më tej, duke hedhur tezën se Bushati është larguar pikërisht për këtë arsye nga detyra e tij. “Bushati nuk do na thotë se përse është larguar, por me deduksion dhe duke pasur parasysh informacionet që janë publike, rezulton se marrëveshja për kufirin ka qenë arsyeja e largimit të Bushatit dhe ardhja e Cakajt, i cili është mbështetur nga Baton Haxhiu. Haxhiu ka qenë personi, i cili ka dalë me harta për ndryshimin e kufirit dhe siç duket këto segmente e kanë shitur këtë tezë sikur është me mbështetjen e SHBA dhe me ato që na lë të kuptojmë Bushati, Rama ka qenë dakord dhe kjo ka qenë arsyeja e përplasjeve mes tyre, që kanë çuar në largimin e tij nga Ministër i Jashtëm dhe emërimin e Cakajt në këtë detyrë. Por për këtë çështje, pra të kufirit, mesa di unë nuk ka pasur një qëndrim zyrtar, derisa Rama ka dalë kundër kësaj teze. Se si Rama do ketë ndryshuar mendim nuk e dimë, por ajo që kuptojmë është se ai ka qenë dakord fillimisht”, argumentoi Lubonja.

Këto debate duket se ftohën edhe marrëdhëniet e tij me kryeministrin Rama. I pyetur në “Real Story” nëse marrëdhëniet e tyre janë të tensionuara, Bushati tha se janë normale, por nuk është më pjesë e njerëzve të tij më të afërt.

Në Qeveri natyrisht kanë qenë më të ngushta, ndërsa sot janë raporte normale. Nuk jam sot për sot një nga njerëzit e tij me të afërt. Ndaj mendimin se jam një nga njerëzit që kryeministri ka investuar shumë besim tek unë duke më dhënë Ministrinë e Jashtme.” tha Bushati

Lidhur me akuzat e bëra nga Ministri i Jashtëm në Detyrë Gent Cakaj se në Konsullatat Shqiptare ka pasur njerëz me përfshirje korruptive e kriminale dhe që cenonin sigurinë në vend që janë marrë në kohën kur Bushati ishte ministër, Ditmir Bushati tha se “politika e jashtme është shumë më serioze se atdhedashuria dhe kërkon njohuri dhe koncepte bazë” / Real Story



Skip to toolbar