Shkarkimi i Metës, Moisiu: Asgjë e jashtëzakonshme

POLITIKË


Për ish-presidentin e Republikës Alfred Moisiu përpjekjet për shkarkimin e presidentit Ilir Meta nuk përbëjnë asgjë të jashtëzakonshme. I pyetur nga “Report tv” për këtë proces, Moisiu tha se nuk shikon asgjë të keqe në faktin që politika kërkon shkarkimin e një zyrtari.

“Sigurisht nuk është mirë të ndodhin këto gjëra, por Kushtetuta parashikon rrugëzgjidhje. Bazuar dhe në opinionin e Venecias, çështja duhet të ecë në rrugë Kushtetuese dhe institucionale, por siç e dimë ne na mungon një Gjykatë Kushtetuese, përpjekjet po bëhen që Gjykata të jetë, por kjo është faza e fundit. Nuk ka asgjë të keqe që politika, referuar në Kushtetutë të kërkojë shkarkimin e një zyrtari. Puna vazhdon. Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Demokracia kështu e ka, të jep pushtetin pastaj të kërkon llogari”, shprehet Moisiu.

Ish-presidenti i Republikës foli edhe për krizën politike në vend, duke shpresuar se reformat do sjellin ndryshimin e klasës politike. “Politikanët tanë duhet të mendojnë më pak për veten dhe më shumë për popullin. Shpresoj që reformat që po bëhen të pastrojnë klasën politike shqiptare nga personat e pavlefshëm”, tha ish-presidenti, pas konferencës për Samitin për Paqe në Evropën Juglindore që qëllim kryesor ka paqen dhe sigurinë në rajon.



Skip to toolbar