Kurti: Në Tiranë ndihem si në shtëpi! Bashkë për integrimin

AKTUALITET


Në Tiranë ka nisur punimet Samiti i Paqes dhe i Sigurisë për Europën Juglindore dhe i pranishëm është edhe kryeministri i zgjedhur i Kosovës Albin Kurti, i cili në fjalën e tij tha se në Tiranë ndihet si në shtëpinë e tij. Kurti me tej vuri theksin në domosdoshmërinë e bashkëpunimit për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, ndërsa tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të punojnë për t’u bërë bashkë në rrugën drejtë integrimit europian.

“Ndihem si në shtëpi edhe në Tiranë, por si në Prishtinë. Këtu njerëzit bëhen bashkë dhe e bëjnë këtë për paqe. Bashkimi për paqe është kushti për paqe të qëndrueshme e cila më tutje mundëson të lulëzojnë popujt, shtetet dhe mbarë shoqëria njerëzore. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për ide që na udhëheqin, por edhe ide që na bëjnë bashkë. Ndër rreziqet më të mëdha është ndarja dhe përçarja. Ndaj, samite të tilla janë të vlefshëm për të ardhmen. Njerëzit jetojnë dhe lulëzojnë në bashkësi, kjo është detyra jonë kryesore: Kudo që mundemi t’i bëjmë njerëzit bashkë. Angazhimi për paqen garanton përparimin. Para 30 vjetëve ka rënë muri që na ndante në kohën e luftës së Ftohtë, që mori fund, mori ftohtësitë e ndryshme pa luftë e nganjëherë edhe me luftë kanë vazhduar se në vend të një muri të madh kemi shumë mure të vegjël që na ndajnë midis nesh e brenda nesh. Për t’i hequr këto mure të vogla që na ndajnë, është e domosdoshme të themi që kemi nevojë për paqe, se nuk ka alternativë të mirë ndaj paqes. Është e domosdoshme që për paqe ne t’i bëjmë aktive vlerat e përbashkëta, republika e Kosovës, e Shqipërisë, dhe vende të tjera në Ballkan duan të anëtarësohen në BE, në NATO, dhe pikërisht ky interes ynë i përbashkët duhet të bëhet sa më aktiv në rajon dhe më gjerë, në mënyrë që stabiliteti afatgjatë të jetë pasojë e drejtpërdrejt e zhvillimit të drejtësisë dhe demokracisë që duhet t’i ndërtojmë mes vendeve tona”, tha Kurti, por ai foli edhe për reformat që duhet të ndërmarrin qeveritë me qëllim që të luftojnë varfërinë dhe papunësinë.

“Në Kosovë nëse i pyet shqiptarët serbët e të gjitha pakicat se cilat janë preokupimet kryesore njëzëri do thonë se janë punësimi dhe drejtësia. Të rinjtë duan vende pune që të fitojnë me djersën e tyre, dhe duan drejtësi të mos ketë të diskriminuar dhe të privilegjuar. Me zërin e qytetarëve që kemi dëgjuar, si Vetëvendosje kemi arritur të fitojmë zgjedhje, dhe tashmë puna më e madhe ndodhet para nesh: T’i plotësojmë zotimet tona”, tha kryeministri i ri i Kosovës në këtë samit që po zhvillohet në Tiranë. Një ditë më herët Kurti u prit në një takim nga kryeministri Rama, i cili tha shkurtimisht në facebook se kanë biseduar për disa orë me njëri-tjetrin për tema të ndryshme pa dhënë shumë detaje.



Skip to toolbar