Dule në ceremoninë e Kacifas. Omonia shpërthen në akuza

AKTUALITET


Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule ishte i pranishëm të shtunën në Bularat të Gjirokastrës për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të vdekjes së ekstremistit grek Kostandinos Kacifas, por ka refuzuar të flasë për mediat. Për gazetarët ka folur kreu i Omonias, Fredi Bejleri i cili hodhi akuza duke thënë se edhe pas një viti nuk është sqaruar arsyeja pse u vra Kacifas. Bejleri hodhi akuza ndaj Shqipërisë, që sipas tij nuk respekton të drejtat e njeriut.

“Pas një viti ende nuk është sqaruar situata, arsyeja pse u vra. Janë kthyer dhjetëra persona në Kakavijë. Shqipëria që do të hyjë në Evropë por nuk respekton të drejtat e njeriut. Ka një klimë terrori në minoritet dhe kjo është arsyeja pse nuk erdhën njerëzit”, u shpreh Bejleri.

Ceremonia e Kacifas është shoqëruar me një incident në nisje të tij për shkak se banorët nuk kanë lejuar gazetarët shqiptarë të marrin pjesë duke i sharë ata vrasës dhe turq.

“Nuk ju duam. Nuk na doni ju, nuk ju duam edhe ne. Pse e vratë djalin? Na thoni pse e keni vrarë djalin? Pse po vini këtu? Ikni qërohuni!” i ka bërtitur banori gazetarëve.



Skip to toolbar