Nuk qan të birin por thërret për luftë, nëna e Kacifas: Vorio-Epiri është Greqi

AKTUALITET


Në ceremoninë përkujtimore të një vjetorit të vdekjes së ekstremistit grek Kostandinos Kacifas, nëna e tij, Vasilia Kacifas në vend që të derdhte lot dhe të qante të birin, mbi varrin e tij ka bërë thirrje për luftë. “Merrni armët dhe vrisni tradhtarët. Vorio-Epiri është Greqi”, ka thënë Vasilia në greqisht, në mes të Bularatit në Gjirokastrën shqiptare. Ajo ishte e veshur me të zeza dhe shoqërohej në ceremoninë përkujtimore nga bashkëshorti dhe dy vajzat. Ajo i ka cilësuar tradhtarë shqiptarët duke bërë thirrje për t’i vrarë.

“Djali im, trimi im, jemi grekë, autoktonë. Në këtë tokë jemi grekë autoktonë, jemi ortodoksë, asnjëri nuk mund të prekë krishterimin tonë dhe kombin tonë. Jemi grekë. Tradhtarët. Përse i ndaluan njerëzit të vijnë në Kakavijë? Se janë tradhtarë. Çojuni trima, rrëmbeni tokën, jemi grekë autoktonë. Vorio-Epiri është tokë greke, nuk na ndalon asgjë. Ju të gjithë të rinjtë, çohuni rrëmbeni shpatat dhe armët, mos kini frikë asgjë, se këta po na frikësojnë, këtu ka diktaturë nuk ka shtet, rrëmbeni bombat, rrëmbeni pushkët. Rroftë bashkimi.  Jam krenare për ty biri im”, thotë Vasilia Kacifas.

Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë qindra qytetarë të ardhur nga Greqia. Sipas të dhënave rreth 1800 persona kanë hyrë nga Greqia përgjatë dy ditëve për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të 1-vjetorit të vrasjes së 35-vjeçarit Kostandinos Kacifas, ndërsa policia ka ndaluar dy grekë të shpallur non gratta në Shqipëri duke i kthyer ata mbrapsht.

Kostandinos Kacifas, mbeti i vrarë më 28 tetor të vitit të kaluar gjatë një përplasje me armë me policinë shqiptare në fshatin Bularat. Ai hapi zjarr ndaj efektivëve të policisë në breshëri për më shumë se 30 minuta kur u rrethua nga RENEA dhe terrorizoi qytetin e Gjirokastrës për 5 orë nga momenti i parë që hapi zjarr. 35-vjeçari nuk iu bind urdhrit për të hedhur armën, për t’u dorëzuar duke refuzuar, madje duke qëlluar me armë në drejtim të bluve, në këtë moment RENEA e ka ekzekutuar duke e qëlluar në kokë dhe në gjoks. Pas vrasjes atij iu sekuestruan një kallashnikov, dy karikatorë, një çantë me fishekë luftarakë, 31 gëzhoja, ndërsa në banesë uniforma ushtarake. Konstantinos Kacifa ishte minoritar me origjinë nga Bularati. Ai e kishte paralajmëruar në Facebook, sulmin ndaj Policisë pasi bënte thirrje kundër shqiptarëve.



Skip to toolbar