Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule ka qenë i pranishëm të shtunën në ceremoninë përkujtimore të organizuar për 1 vjetorin e vrasjes së ekstremistit grek Konstandinos Kacifas. Vangjel Dule ka akuzuar policinë se po ushtron terror tek banorët e Dropullit, ndërsa ka anashkaluar thirrjet për luftë të bëra nga nëna e Kacifas e cila tha që Vorio-Epiri është Greqi dhe se shqiptarët duhen vrarë.
“Jam prej disa ditësh në lëvizje në Sarandë dhe Gjirokastër. Në këto momente që flasim do shikoni forca të shumta policia të armatosura në Dropull. Dropulli ka kriminalitet 0. Dropulli nuk mund të mbahet me mentalitet dhe metoda policeske. Në Dropull ka pasur tentativa shtetërore për t’i terrorizuar banorët por nuk ja kanë arritur”- u shpreh Dule.
Dule u bëri thirrje edhe gazetarëve që ta raportojnë mirë dhe objektivisht çështjen. “Pasqyroni mirë realitetin, mos u bëni viktimë e klikimeve. Thellohuni në profesionin tuaj dhe mos u bëni zëdhënës të atyre që s’kanë lidhje me profesionin tuaj”- tha Dule.
Kur u pyet nga gazetarët për thirrjet që e ëma e Kacifasit bëri nga varri i tij, Dule përgjigjet: “Mos u bazoni tek thirrjet e një nëne që e ka djalin e vrarë”.