Trump, ofertë Italisë për të dalë jashtë BE

AKTUALITET


Presidenti amerikan Donald Trump kërkon që Italia të dalë jashtë nga BE, njëlloj si Britania e Madhe, ndërsa thotë se ai ka një marrëveshje të mirë ekonomike për të. Në një intervistë radiofonike me liderin e partisë Brexit, Nigel Farage, Trump tha se SHBA janë gati të negociojnë me Italinë një marrëveshje të gjerë tregëtare duke i propozuar Italisë daljen nga BE dhe nga zona euro, në stilin e Brexit.

“Italia do të ishte shumë më mirë jo vetëm jashtë euros, por edhe jashtë nga BE”, – tha Trump. “Ju jeni të bllokuar brenda BE – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë, duke komentuar krizën britanike – Italia dhe shumë vende të tjera do të ishin shumë më mirë pa Bashkimin Europian. Nëse këto vende duan të qëndrojnë në BE, është punë e tyre, por dijeni se në Europë është e vështirë të negociosh me liderët e Brukselit, ndërsa me mua gjithçka do të ishte më e lehtë”.

Trump gjithashtu parashikoi që së shpejti shumë vende të tjera do të ndiqnin shembullin e Britanisë së Madhe, duke përmendur Italinë dhe Francën.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk i ka fshehur asnjëherë kritikat e tij për Brukselin, të cilin ai e konsideron një antagonist të Uashingtonit, dhe mbase ai e sheh Romën një kryeqytet që mund ta ndihmonte Trump të dobësonte ose të shpërbënte Bashkimin Europian.



Skip to toolbar