Dinamika e atentatit me 20 plumba, Ndoja: Nuk jam unë shënjestra

AKTUALITET


Arjan Ndoja mohon se ka qenë ai shënjestra e atentatit të së premtes në Shkozet, megjithëse makina e tij u qëllua me breshëri automatiku duke shkaktuar plagosjen e tij dhe dy shoqëruesve të tij, njëri me precedentë të theksuar kriminalë. Në dëshminë e tij Ndoja ka thënë se atë mund ta kishin vrarë kudo, në prokurori apo në derë të shtëpisë, por nuk ka qenë ai shënjestra e atentatit, ndërsa ka theksuar se nuk i ka parë autorët e atentatit.

“Kam qenë duke drekuar në një restorant. Erdhi Muharremi dhe një tjetër e u ulën. Më pas u nisëm drejt Tiranës. Isha ulur në vendin e parë të makinës, ndërsa Maloku në drejtim të makinës. Muharremi pas. Po të donin më vrisni kudo. Nëse do të më adresoheshin mua, nuk kishin arsye të më vrisnin në autostradë. Mua mund të më vrisnin në derë të shtëpisë, në prokurori. Nuk ka arsyeje që të më sulmonin në autostradë. Nuk pikasëm ndonjë gjë të dyshimtë deri në momentin që jam qëlluar. Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Nuk i pashë atentatorët”, – është shprehur Ndoja.

Dyshohet se atentati ka qenë i porositur dhe autorët dyshohet se janë vrasës me pagesë, nga veriu i vendit ose nga Kosova. Policia ka sekuestruar pamjet filmike të restorantit ku ka drekuar Ndoja me dy shoqëruesit e tij si dhe pamjet filmike të kamerave në akset rrugore ku ka kaluar me makinë.  

Provë e rëndësishme për policinë vijon të mbetet makina e cila çuditërisht është braktisur dhe nuk është djegur nga autorët e krimit.

Ndërkohë është rindërtuar e gjithë dinamika e atentatit. Makina e autorëve ka ecur paralelisht me makinën e prokurorit Ndoja dhe  i ka parakaluar në anën e kundërt ku edhe ka hapur zjarr. Më pas makina e prokurorit është spostuar për afro 20 meta, duke iu afruar një kanali. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 20 plumba, ndërsa 6 prej tyre kanë arritur të depërtojnë në makinë, duke plagosur 3 personat që ndodheshin brenda tij.

Atentati ndodhi pasditen e së premtes në zonën e Shkozetit, pranë mbikalimit. Prokurori Arjan Ndoja po udhëtonte me dy persona të tjerë në automjetin tip “Benz” të llojit fuoristradë me targa ‘AA 333 ZD’. Bashkë me Ndojan kanë mbetur të plagosur edhe dy personat e tjerë, shoferi i prokurorit, Andi Maloku 30 vjeç dhe Aleksandër Laho, i cili ishte pasagjer. Laho njihet ndryshe edhe si Landi Muharremi dhe si “i tmerrshmi i Sukthit”.



Skip to toolbar