Një aksident tragjik ka ndodhur në Itali ku është shuar e gjithë familja bashkë me vajzën 5 muajshe. Aksidenti ka ndodhur në autostradën e A13 të Bolonjas. Tre persona kanë mbetur të vdekur, babai 32 vjeç, nëna 29 dhe vajza e vogël vetëm 5 muajshe, dhe katër persona të tjerë janë plagosur si pasojë e një aksidenti të trefishtë. Tre automjete u përfshinë në aksident, një makinë, një rulot dhe një autobus.
Familja, me origjinë nga provinca e Vicenza, po udhëtonin me një rulot dhe po ktheheshin për në shtëpi.
Automjeti i tyre u godit nga një makinë e vogël. Menjëherë pas përplasjes, ruloti përfundoi në mes të rrugës ku një autobus e goditi përsëri.
Përveç tre viktimave, ka edhe 4 të tjerë të plagosur, të gjithë burra nga 18 deri 53 vjeç, të transportuar në spitalet e Bolonjës dhe Bentivoglio. Asnjë prej tyre nuk është në rrezik për jetën, raportojnë mediat italiane.