Kush është Rrumi, “i forti i Sukthit” i plagosur në atentat

AKTUALITET


Në makinë me prokurorin Arjan Ndoja ka qenë dhe një person me precendentë kriminalë, siç është Aleksandër Laho i njohur me disa emra, si Landi Muharremi apo Pëllumb Muharremi ose shkurt Rrumi. Edhe ai njëlloj si Ndoja ka mbetur i plagosur në atentatin e së premtes në mbikalimin e Shkozetit, por ndryshe nga Ndoja i cili në dëshminë e tij tha se nuk ishte ai shënjestër për atentatin; Muharremi ende nuk ka dhënë versionin e tij për ngjarjen për shkak se plumbi ka prekur nofullën dhe ai e ka të vështirë të flasë.

Emri i Pëllumb Muharremit nuk është i panjohur për Policinë. Ai rezulton i skeduar disa herë për ngjarje të rënda kriminale. I njohur në Durrës me pseudonimin “Rrumi”, Pëllumb Muharremi rezulton të jetë, vëllai i drejtorit të postës në Durrës, Albert Muharremi.

I njohur si i forti i Sukthit, Pëllumb (Landi) Muharremi është lakuar nga një sërë qytetarësh për zaptim të pronave, madje është denoncuar në disa procese gjyqësore që kanë lidhje me pronat. Ai është gjithashtu i dyshuar si një ndër dhunuesit e biznesmenit libanez Faad Mitri, edhe pse nuk ka patur asnjëherë akuzë zyrtare ndaj tij për këtë çështje.

Më 14 shtator të vitit 2016, Policia e Tiranës shoqëroi 3 persona të dyshuar si autorë të rrahjes së biznesmenit amerikano-libanez, Faadi Mitri, në rrugën e Rinasit. Të dyshuarit ishin të tre nga Shijaku dhe sipas burimeve nga grupi hetimor në atë kohë u dyshuan se mund të ishin paguar ose porositur nga persona të tjerë për të dhunuar e kërcënuar investitorin e huaj.

Me një automjet tip “Tuareg”, me targa italiane, ata përplasën makinën “Mitsubishi” ku ndodhej biznesmeni me familjen. Tri vite më parë, burimet thanë se vetë i plagosuri e ka tërhequr denoncimin që iu mor disa orë pas ngjarjes në spitalin privat ku mori mjekim.

Burime nga Policia thanë në atë kohë se tre personat e shoqëruar në lidhje me ngjarjen ishin: Skënder Krahja, Landi Muharremi dhe Arben Mërkuri, të tre nga Shijaku. Përveç kësaj ngjarjeje, Landi Muharremi u hetua edhe për rrahjen e një avokati vitin e kaluar, ngjarje për të cilën po ashtu nuk u arrestua asnjëherë.

Ndonëse hetimet për atentatin janë përqendruar te vrasja e mbetur në tentativë, për shkak të detyrës së prokurorit Arian Ndoja, Policia dhe Prokuroria nuk e përjashtojnë mundësinë që objektiv i atentatit mund të ketë qenë edhe Landi Muharremi.



Skip to toolbar