4 pistat e policisë për atentatin, 20 të shoqëruar. Autorët nën vëzhgim

AKTUALITET


Autorët e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja e kanë pasur nën vëzhgim shënjestrën e tyre gjatë gjithë paradites së të premtes dhe kanë ndjekur çdo lëvizje të tij deri në breshërinë me plumba ndaj makinës në mbikalimin e Shkozetit. Policia është duke e hetuar ngjarjen në 4 pista të ndryshme, dhe për të hedhur dritë më shumë mbi ngjarjen ka shoqëruar në komisariat dhe ka marrë në pyetje 20 persona.  Dy prokurorët Anton Martini dhe Besim Hajdarmataj nga Krimet e Rënda e kanë përqendruar hetimin në pistën e konflikteve personale të personave si Ndoja, Muharremi apo Maloku; atentat për shkak të detyrës së prokurorit; përplasje të grupeve kriminale; konfliktet për pronat.

Sipas pamjeve filmike të kamerave në disa biznese të zonës është vënë re se i gjithë atentati me armë nuk ka zgjatur me shumë se 60 sekonda.

Pamjet kanë fiksuar automjetin që ndjek nga pas në një distancë të shkurtër fuoristradën e prokurorit, ndërsa në zonën e mbikalimit të Shkozet momenti atentatit nuk është i fiksuar nga kamerat.

Para atentatit Ndoja ka qenë duke drekuar bashkë me shoferin Andi Maloku dhe të “fortin” e Sukthit  Landi Muharremin në një restorant në zonën e plazhit dhe më pas janë larguar nëpërmjet unazës së plazhit dhe kanë rënë në pritë nga autorët pikërisht në momentin kur do dilnin në autostradë.

Pas breshërisë së plumbave makina ka dalë nga rruga. Sipas hetuesve dy atentatorët kanë ditur se Ndoja dhe Muharremi udhëtonin në atë mjet pasi i kanë ndjekur ata për disa orë përgjatë paradites së të premtes dhe deri sa kanë hapur zjarr.

Prokurori Ndoja në dëshminë e tij për policinë ka thënë se ai nuk ka qenë shënjestër e atentatit.



Skip to toolbar