Kryetari i PS-së, Edi Rama do të mbledhë mëngjesin e së martës (sot) deputetë dhe anëtarët e degës së PS-së së Shkodrës për të zgjedhur drejtuesit e strukturave dhe drejtorive rajonale. Kryeministri vendosi ta marrë vetë situatën në dorë, pas debateve që u zhvilluan në degën e PS-së së Shkodrës pak ditë më herët. Anëtarët e PS-së së Shkodrës kundërshtuan emërimin nga Tirana të drejtorëve rajonalë dhe kontestuan ngritjen e dy komisioneve që do të merreshin me këtë çështje.
Deputeti Paulin Sterkaj u shpreh në mbledhje se çështja e emërimit të drejtorëve të rinj është kthyer në tender pasi secili propozon emrat e tij.
Ndërsa pak ditë më herët deputeti socialist Arben Pëllumbi deklaroi pas mbledhjes me tone të ashpra, se me vendim të kryesisë të PS-së është shkrirë struktura drejtuese e PS në Shkodër.
Ai tha se presidenti Ilir Meta duhet të caktojë një datë për zgjedhje të parakohshme në Shkodër.
Partia Socialiste ngriti dy komisione (një prej të cilëve qytetar) për zgjedhjen e drejtorëve të rinj në qarkun e Shkodrës. Ngritja e komisioneve erdhi pas largimit të Valdrin Pjetrit nga posti i koordinatorit politik të Shkodrës pas akuzave që PD ngriti ndaj tij për fshehje të dënimit në Itali në formularin e dekriminalizimit.
Rama urdhëroi dorëheqjen e të gjithë drejtorëve burra ndërsa deklaroi se për disa nga gratë do të rishikohet pozicioni. Kreu i qeverisë u shpreh se këto ndryshime nuk bëhen për shkaqe personale por bëhen për të krijuar një imazh të ri të PS në Shkodër.
Të gjitha këto zhvillime kanë krijuar një situatë të nderë në Shkodër dhe pikërisht këtë synon të zgjidhë mbledhja e së martës në selinë rozë.