Dekani i Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule ka kërkuar nga organet e policisë që të zbardhin ngjarjen e rëndë të ndodhur të hënën pasdite në fakultetin e Ekonomisë ku dy persona janë shtirur si studentë, kanë hyrë brenda në sallën e leksioneve dhe janë konfliktuar me studentët e grupit. Kule thotë se përplasja mes tyre ka ndodhur pasi ka mbaruar mësimi, por ai i bën apel policisë që të kapë agresorët dhe t’i vërë para drejtësisë.
“Pasdite dje gjatë zhvillimet të mësimit, një pedagoge e fakultetit tonë më ka sqaruar se janë futur në leksion dy djem që nuk kanë qenë pjesë e klasës dhe janë ulur në fund të klasës. Këtë dy djem grindeshin me njërin nga djemtë e grupit dhe vetë grupi i studentëve i kanë kërkuan pedagoges që të nxirren jashtë. Pasi kanë mbaruar mësimin në ambiente jashtme të godinës ka ndodhur një grindje. Ne si dekanat kemi marrë masat në mënyrë që të sigurohemi që përmes policisë, që studentët të mos guxojë kush t’i godasë, brenda ambienteve jo e jo, por as jashtë në qytetin studenti. Ata që kanë guxuar të godasin studentët tanë duhet të përgjigjem patjetër para ligjit.
Në ambientin kur ka ndodhur ngjarja është policia e qytetit studentit. Kudo ka roje në ambientet e brendshme, në ambiente e tjera janë me polici private. Ata nuk i ka dërguar kush aty. Vetë studentët nuk i kanë pranuar. Pedagogia iu ka thënë ju nuk jeni studentë këtu dhe vetë grupi nuk i ka pranuar të vazhdojnë mësimin dhe grupi i ka nxjerrë jashtë dhe pasi ka mbaruar mësimi ka ndodhur ngjarja. Më thonë se kanë qenë më shumë se dy veta. Studentët janë trajtuar te Trauma. Dua t’u sigurojë studentëve që mos t’i shkojë mendja askujt t’i dhunojë ata”, -tha për mediat dekani, Dhori Kule.
Kjo ngjarje për ish-deputetin e Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka mbështetje politike. Në një postim në Facebook të shpërndarë për mediat nga zyra e shtypit e PD-së, Boçi shkruan se “gangsterizmi tashmë është shtruar këmbëkryq kudo. E gjen në qeverisje, në administratë e tani dhe në universitete”.
“Në mes të procesit mësimor persona të paidentifikuar hyjnë në auditorët e fakultetit ekonomik të UT dhe krijojnë një konflikt të paprecedentë me studentët, midis të cilëve pati dhe të lënduar, djem dhe vajza. Gangsterizmi tashmë është shtruar këmbëkryq kudo. E gjen në qeverisje, në administratë e tani dhe në universitete. Nuk mjafton degradimi dhe rrënimi progresiv që i është bërë Arsimit të Lartë në këto 6 vite qeverisje. Tani ai dhe dhunohet.
Ngjarja e rëndë e ndodhur në Fakultetin Ekonomik, ku gangsterët me përkrahje politike, mësynë në auditore e goditën studentët, dëshmon qartë braktisjen totale që i është bërë studentëve, në sigurinë e tyre për jetën dhe për proçesin akademik, nga Rama e Shahini. Policia e shtetit, e gatshme t’i shërbejë në çdo moment krimit, lan duart dhe nuk do t’ia dijë për studentët e pedagogët.
Ngjarja e sotme, është fytyra e vërtetë e paktit për Universitetin”, shkruan Boçi i cili thotë se PD ka një vizion të ri për rininë e Shqipërisë.