Policia e Shtetit ka deklaruar zyrtarisht arrestimin e Redjan Rrajës, duke dhënë detaje mbi hetimin e kryer që nga e premtja, kur iu bë atentat prokurorit Arjan Ndoja, nga i cili mbetën të plagosur tre persona. Grupi hetimor ka dyshime të forta se Rraja është një nga autorët e mundshëm që qëlloi ndaj automjetit të prokurorit.
Sipas policisë, për zbardhjen e kësaj ngjarjeje u ngrit menjëherë një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistë të Departamentit të Policisë Kriminale, Sektorit të Krimeve të Rënda në DVP Durrës e Tiranë, nën drejtimin e Prokurorëve të Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë. Njëkohësisht, forca të shumta policie në disa Drejtori Vendore ngritën pika kontrolli dhe ushtruan kontroll të gjerë të territorit për kapjen e autorëve.
Si rezultat i kontrolleve të shpejta, në territorin e Drejtorisë Vendore Durrës, brenda një kohë të shkurtër në fshatin Shkafane, Durrës është gjetur i braktisur mjeti tip “Benz”, me targë AA342LM, që dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët e ngjarjes. Gjatë këqyrjes së këtij mjeti janë sekuestruar edhe prova të tjera materiale, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autorët, konkretisht: dy armë zjarri AK 47, dy maska, një sasi lënde djegëse dhe sende të tjera.
Në vijim të veprimeve për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, regjistroi procedimin penal nr. 244/2019, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, “Vrasja kundër dy ose më shumë personave”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Për dokumentimin ligjor të këtij procedimi penal në lidhje me autorët e mundshëm të kryerjes së kësaj ngjarje të rëndë kriminale, me qëllim zbulimin dhe sekuestrimin e provave materiale që lidhen me autorët e kryerjes së kësaj ngjarjeje, iu kërkua Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda lejimi i kontrollit të banesave të 11 shtetasve me banim në Krujë dhe të katër shtetasve me banim në Tiranë dhe në Lushnjë.
Si rezultat i këtyre kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan prova materiale që dyshohet se kanë lidhje me autorët e mundshëm të kësaj ngjarjeje. Provat e sekuestruara po i nënshtrohen një analize të hollësishme nga grupi hetimor dhe një pjesë e tyre u dërguan në Laboratorin Shkencor për ekzaminim të mëtejshëm.
Nga tërësia e provave të sekuestruara dhe bazuar në dyshimet e arsyeshme u bë ekzekutimi i urdhër-ndalimit të lëshuar nga Prokurori i Krimeve të Rënda për shtetasin Redjan Rraja, 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Nikël, Fushë-Krujë, i dyshuar si një nga autorët e mundshëm të plagosjes me armë të prokurorit dhe dy shtetasve të tjerë. Grupi i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorëve të Krimeve të Rënda po vijojnë intensivisht punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.