Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka fajësuar PS-në për të arrestuarin për atentatin ndaj prokuroritArjan Ndoja, ndërsa e cilësoi krimin si një luftë mes bandave për pushtet. Sipas tij, zgjidhja janë zgjedhjet e parakohshme. Duke iu referuar faktit se Redjan Rraja është i afërm i deputetit socialist, Rrahman Rraja (nipi i xhaxhait të tij), Basha tha se kjo është në vazhdën e poshtërimit të PS, sepse tregon se është një luftë e pastër mes bandave në pushtet.
“Fatkeqësisht është në vazhdën e poshtërimit të PS, të qytetarëve shqiptarë, sepse tregon se kjo është një luftë e pastër mes bandave në pushtet. Është tregues i qartë i nevojës për ndryshim të menjëhershëm për zgjedhje të parakohshme, që do iu kthejnë qytetarëve dinjitetin, të drejtën e votës dhe i fuqizojnë duke zgjedhur në Parlament e qeveri njerëz që meritojnë të udhëheqin dëshirat e tyre për ndryshim. Në funksion të kësaj është edhe turi që sapo ka nisur, një tur bashkëbisedimi dhe dëgjimi, jo vetëm i halleve, brengave e të vërtetës së hidhur si kjo që është shpalosur sot, por edhe të zgjidhjeve, të cilat duhet të prodhojnë një qeveri dhe parlament që të përfaqësojnë interesat e qytetarëve, dhe jo interesat e bandave kriminale, siç tregon dhe arrestimi i sotëm”, tha Basha.