Protestuesit e Astirit bëjnë për spital punonjësin e IKMT

AKTUALITET


Protestuesit e zonës së Astirit kanë dhunuar duke e rrahur dhe goditur me mjete të forta një prej punonjësve të IKMT, i cili ishte duke kryer detyrën. I plagosur rëndë me fraktura në kokë e duar ka mbetur punonjësi me inicialet A.B 50 vjeç.

Ai është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë.  50 vjeçari ishte duke punuar në momentin që banorët e kësaj zone, banesat e të cilëve po shemben nga zgjerimi i Unazës së Madhe, e kanë sulmuar duke e goditur me mjete te forta dhe duke i shkaktuar plagë të rënda.

IKM ka reaguar përmes një deklarate për mediat ku denoncon fort këtë akt barbar mbi punonjësin e saj dhe kërkon nga organet përkatëse të shtetit të marrin masat e menjëhershme për vënien para përgjegjësisë së autorëve.  IKMT u bën thirrje banorëve dhe qytetarëve, se punonjësit e saj janë në shërbim të ligjit dhe komunitetit dhe nuk do të tërhiqen për asnjë moment nga detyrat e tyre, pavarësisht sjelljeve rrugaçore, barbare dhe të paligjshme.

Banorët e Astirit kanë pasur mbështetjen e ish deputetëve të PD-së, në protestën kundër shembjes së banesave. Klevis Balliu ndërsa ka komentuar dhunimin e punonjësit të IKMT-së ka thënë se konflikti do të përshkallëzohet.  “Këto banesa ishin në proces legalizimi, por projekti u ndryshua. Kur ka dhune, edhe kundër-reagohet. Çfarë taksirati ka një punës i IKM që të përplaset me banorët?! Ishte përplasje e egër, e paprecedent, dhe nuk kishte pse të ndodhte. Duhet të dialogohet me banorët”, tha Balliu.



Skip to toolbar