KPA mbyll hetimin për të dekretuarin e Metës. Fati i Besnik Muçit vendoset në 12 nëntor

AKTUALITET


Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka mbyllur hetimin gjyqësor për anëtarin e dekretuar të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi. Pavarësisht se gjyqtari kërkoi kohë për ardhjen e dokumentacionit nga Turqia, KPA tha se koha në dispozicion ka qenë e mjaftueshme.

Të enjten, Komisioneri publik paraqiti parashtrimet në lidhje me provat e reja të paraqitura nga Muçi në seancën e mëhershme. Komisioneri Publik tha se provat e reja nuk sjellin ndonjë rezultat të ndryshëm nga ai i mëparshëm. Muçi kërkoi të dorëzonte parashtrimet dhe në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze. “Kërkoj të administrohet si provë bilanci i kompanisë turke që është një nga huadhënësit. Aktet e dërguara nga Turqia, për bilancin financiar pozitiv të kompanive të një prej huadhënësve të mi në Turqi ende nuk ka mbërritur. Kam konfirmuar që është nisur nga posta turke, por nuk ka mbërritur në atë shqiptare. Nëse me jepni kohën e nevojshme, deri në mbërritjen e tyre. Kam konstatuar se qëndrimi i KPK, lidhur me shpenzimet për jetesë të subjekteve, ka qenë duke iu referuar INSTAT-it”, deklaroi Muçi.

Sipas tij, Komisioneri publik pretendon një diferencë financiare prej 600 mijë lekësh të ndarë në 3 vite. “ILDKP dhe INSTAT kanë përdorur shifra mesatare të ndryshme për shpenzimet e një familjeje me 4 persona. Shpenzimet për jetesë nuk mund të jenë fikse gjatë 9 viteve. Krijohet një raport i pafavorshëm të ardhura-shpenzime. Shpenzimet për jetesë të vlerësuara nga 2003-2006, ILDKP ka përdorur mesataren kombëtare”, u shpreh Muçi.

Por kërkesa e tij për kohë shtesë u rrëzua nga KPA. “Kërkesa e subjektit Muçi për dhënie kohë për ardhjen e disa akteve nga Turqia rezulton e pa bazuar, pasi ka pasur kohë të nevojshme për t’i marrë”, deklaroi KPA. Për këtë arsye Kolegji vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor për çështjen dhe të kalojë në fazën e konkluzioneve përfundimtare në datën 12 nëntor, ora 12:00.

Komisioneri Publik kërkon shkarkimin nga detyra të ish-prokurorit të Krimeve të Rënda me argumentet se ka probleme me pasurinë dhe figurën morale. Sipas raportit të DSIK, Muçi ka kontakte të papërshtatshme me një biznesmen, i cili rezulton me probleme ligjore. “Balkanweb” ka mësuar se bëhet fjalë për biznesmenin Armand Lilo, pronar i kompanisë së ndërtimit ”Arlis shpk” në tiranë , person që sipas DSIK rezulton me probleme ligjore. Sipas raportit të DSIK, gjyqtari Besnik Muçi i detyrohet biznesmenit Lilo shumën prej 21 mijë euro , pasi te ai ka blerë një banesë. Kontakti me ketë person konsiderohet si i papërshtatshëm. Anëtari i Kushtetueses tha se Lilo është taksapaguesi më i madh i Bashkisë së Tiranës dhe një ndër punëdhënësit më të mëdhenj. Muçi tha se nuk e ka hetuar asnjëherë Lilon dhe se nuk kishte dijeni se ai kishte probleme me ligjin.



Skip to toolbar