“Duhet ta përdorim politikisht rastin e Alvinit për të dhënë mesazhe se terrorizmi nuk ka vend”. Kështu u shpreh ministri i brendshëm shqiptar, Sandër Lleshaj në konferencën e përbashkët për shtyp me autoritetet italiane që morën pjesë në operacionin e shpëtimit të Alvin Berishës, ndërsa përfaqësuesit e Kryqit të Kuq dhe të Gjysmë Hënës së Kuqe premtuan se janë gati të vijojnë operacionet për shpëtimin e fëmijëve të tjerë që ndodhen në kampin e luftës Al Hol në Siri.
“Kontakti i parë ishte me përfaqësuesin e Kryqit të Kuq Italian. Shteti dhe populli sirian u treguan të gatshëm, por nuk ka qenë e thjeshtë. Nëse nuk do të kishim informacione të detajuara nga Shqipëria dhe Italia nuk do të ishim këtu, ky është simbol i bashkëpunimit humanitar mes Kryqit të Kuq dhe Gjysmë Hënës Siriane, jemi gati të ndihmojmë edhe në të ardhmen nën kërkesën e Presidentit të Kryqit të Kuq Italian”, u shpreh në konferencë Përfaqësuesi i Gjysmë Hënës Siriane që luajti një rol mjaft të rëndësishëm në operacionin për shpëtimin e Alvinit.
Francesco Rocca, President i Kryqit të Kuq Italian gjatë fjalës së tij theksoi se në shpëtimin e Alvinit ka luajtur një rol thelbësor, Gjysmë Hëna Siriane dhe vullnetarët kurdë, që e nxorën fëmijën nga kampi. Ai tha se operacioni ka qenë shumë i vështirë, por se ishte pikënisje për shpëtimin e fëmijëve të tjerë.
“Është krijuar rrjeti i domosdoshëm që gjithçka të shkonte mirë dhe arritëm këtë rezultat të jashtëzakonshëm. Kryqi i Kuq dhe Gjysmë Hëna u koordinuan në terren. Dua të them diçka, unë e dija kapacitetin e Gjysmë Hënës. Ne bëmë edhe konfirmimin që fëmija mund të ishte në kamp. Kur e mësuam zyrtarisht praninë e tij në kamp e nisëm operacionin. Pjesa më e vështirë ka qenë që nuk duhet të merrej nga drejtuesi vesh se fëmija po e linte kampin, pasi ka ende prezencë radikale.
Edhe transferimi nga ‘Al Hol’ në aeroport ka qenë shumë i vështirë, pasi ndërlidhësit tanë ishin të frikësuar, edhe garancia që kishte për kalimin nga një zonë në tjetrën. Në Damask e kam pritur unë. Kishim një presion dhe tension të madh që ta nxirrnim shëndoshë e mirë djalin, por kurdët kanë prioritet tjetër tani, ata menaxhojnë një kamp me 70 mijë persona. Vullnetarët kurdë bënë të mundur që Alvini të shpëtojë.
Më bëri më shumë përshtypje, kur Alvini mbeti i habitur kur hymë në Damask, shikonte gjithmonë rreth e rrotull, pasi ishte mësuar në kamp. Ai reagonte në gjithçka që ishte e re për atë. Ka edhe tre fëmijë të tjerë jetim që ndodhen në kamp në moshën e Alvinit. Tani edhe fëmijë të tjerë mund të largohen nga kampi”, tha Francesco Rocca.
Umberto Nobili, pjesë e sektorit anti-terrorist Milano që mori pjesë në operacionin e shpëtimit u shpreh se gjëja më e bukur e operacionit ka qenë bashkëpunimi mes palëve që solli suksesin.
“Një fëmijë që në vitin 2014 është marrë nga e ëma dhe u dërgua në Siri. Një fëmijë që u rrëmbye, që ndodhej jashtë vendit dhe e rëndësishme është që e sollëm në shtëpi. Nuk ka rëndësi kush ka kontribuar diçka më shumë dhe diçka më pak, e rëndësishme është që e sollëm në shtëpi. Rasti i parë që një fëmijë jetim shpëtohet në këtë mënyrë në një operacion ndërkombëtar. Në kamp ka edhe shumë fëmijë të tjerë.
Nuk dua të flas për medalje, por mesazhi është i fortë, historia është e bukur, Alvini kthehet në shtëpi. Pjesa e bukur ka qenë bashkëpunimi për rastin e Alvinit. Hapëm këtë rrugë, ka shumë rëndësi edhe për fëmijët e tjerë që mund të largohen nga kampet. Këta janë rrëmbyer dhe nëse qëndrojnë atje fatkeqësisht mund të bëhen edhe terroristë”, tha Nobili.
11 vjeçari shqiptar Alvin Berisha mbërriti mëngjesin e së premtes në Itali dhe u bashkua pas 5 vitesh me babanë dhe motrat e tij.