Vettingu në polici nis me përjashtim, ikën drejtori i ankesave në SHÇBA

AKTUALITET


Vettingu për policinë ka nisur me përjashtime. Drejtori i Ankesave në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave pranë Policisë së Tiranës, Oltion Shehu u përjashtua nga radhët e Policisë së Shtetit, pasi iu gjetën shkelje në aspektin e pasurisë. Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit pasi shqyrtoi raportet vendosi që ta përjashtonte Shehun.

Në lidhje me kolonën e integritetit moral, ai rezultoi i pastër pa kontakte me botën e krimit, ndërsa në lidhje me pasurinë rezultoi se nuk justifikonte të ardhurat për ndërtimin e një banesë dykatëshe.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se Shehu zotëron një banesë dy-katëshe në Tiranë me sipërfaqe 161.6 m2. Si burim krijimi të kësaj pasurie ai ka deklaruar dy kredi në vlerën 500 mijë lekë dhe një 1 milionë lekë, si edhe kursime në vlerën 2.5 milionë lekë. Komisioni ka konstatuar se ndërtimi i kësaj banese ka nisur në vitin 2003 dhe është përfunduar në vitin 2008.

Relatorja Gjela tha se Shehu ka shpjeguar për Komisionin se në certifikatën e pronësisë, sipërfaqja 77 m2 përfaqëson gjurmën e ndërtesës, pasi pjesa tjetër e sipërfaqes prej 16.6 m2 i përket katit të dytë.

Komisioni ka konfirmuar dy kreditë e marra prej efektivit të policisë, Shehu, por identifikon pamundësi për nisjen e ndërtimit të banesës në vitin 2003. Sipas relatores, të ardhurat e bashkëshortes së subjektit për periudhën 2000-2003 kanë qenë rreth 280 mijë lekë. Ndërsa të Shehut kanë qenë 104 mijë lekë. Komisioni konkludon se subjekti nuk ka pasur mundësi për të krijuar kursime të mjaftueshme për të nisur ndërtimin e banesës, ashtu si ai ka pretenduar.

“Subjekti sqaroi se nuk ka dokumente ligjore për të vërtetuar të ardhurat dhe kursimet deri në vitin 2003, por ka thënë se ka punuar në informalitet tek bingo Ylli në Tiranë në vitet 1996-1997 duke pretenduar se ka siguruar rreth 2.5 milionë lekë nga të cilat ka kursyer 1 milionë”, pohoi relatorja Gjela. Ajo tha se Shehu ka deklaruar para Komisionit se ka punuar në vitet e mëvonshme edhe si kamarier në një lokal e menaxher në një hotel ku ka siguruar përkatësisht 1 milionë dhe 1.3 milionë lekë.

Pavarësisht deklarimeve e pretendimeve të punonjësit të Policisë së Shtetit Oltion Shehu, Komisioni konkludon se ai nuk ka pasur të ardhura të ligjshme për ndërtimin e shtëpisë.

Edhe nga ana profesionale sipas Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, Shehu rezultoi me probleme pasi ndaj tij kishte dy herë masë administrative të vërejtje nga eprorët. Për të justifikuar pasurinë e tij, Shehu tha se këtë profesion e ka ushtruar prej vitit 1996 deri në vitin 2003 pa e ditur se aty kishte qenë i pasiguruar, por sipas tij kishte fitime të mëdha edhe për shkak të bakshisheve.

Pra, puna e dy dekadave më parë si menaxher në një sallë bingoje e në një lokal dhe vërejtjet gjatë punës i dogjën karrierën Oltion Shehut, që në përfundim të seancës ku u dha vendimi nuk pranoi që të jepte asnjë koment.

Ndryshe nga vettingu për drejtësinë, ku përdoret termi “shkarkim”, për njerëzit e policisë përdoret termi “përjashtim”. Njerëzit e drejtësisë apelimin e bëjnë te Kolegji i Posaçëm, ndërsa në rastin e vettingut në policinë e shtetit, të shkarkuarit duhet t’i drejtohen Gjykatës Administrative.

Seanca e dytë e Vettingut në polici do të jetë me nëndrejtorin e SHÇBA, Adriatik Ago. Trupa e vlerësimit përbëhet nga Ana Kapaj, Elvira Daberdaku, Elida Liko. Pas listës së parë me 45 drejtues të Policisë së Shtetit është zbuluar edhe lista e dytë me emrat që do t’i nënshtrohen procesit të vettingut. Në listën e dyta janë 47 emrat e radhës që do të rivlerësohen, ku shumica e tyre janë drejtues të policive në qarqe.



Skip to toolbar